TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Prill 2023, 11:53

Banorët e Bërxullës përzënë kandidatin e Berishës në Vorë: Mos hajde këtu për vota

Shkruar nga Pamfleti

Banorët e Bërxullës përzënë kandidatin e

Tentativa e kandidatit të Berishës për Bashkinë e Vorës për të shfrytëzuar politikisht protestën e banorëve të Bërxullës ka sjellë dhe irritimin e këtyre të fundit.

Protestuesit e kanë përzënë Indrit Hoxhën duke i kërkuar t’i hipi makinës e të mos përzihet në punët e tyre.

Ata u shprehën se protesta s’është partiake.

“Nuk të duam fare këtu, hipi makinës vëllai im dhe ik. Ti u bëfsh çfarë të duash, por për vota mos na hajdeni. Ne s’të njohim fare ty, ke ardhur nga Tirana, s’je as katunari jonë.

Të lutemi shumë ik, se nuk e kemi protestë partiake”, iu drejtuan banorët kandidatit të Berishës për Vorën, Indrit Hoxha.

Banorët e Bërxullës edhe ditën e sotme po protestojnë si çdo të dielë prej shtatë muajsh.

Ata protestojnë për projektin e rrugës Thumanë-Kashar, pasi pretendojnë se pronat e tyre që preken nga autostrada nuk po kompensohen siç duhet dhe se shteti i ka lënë në harresë duke mos i dëgjuar ankesat e tyre.

Janë rreth 200 banorë të Fushë-Prezës dhe Bërxullës, të cilët preken nga shkatërrimi i pronave dhe tokave bujqësore. Një pjesë e këtyre banesave ende janë në proces legalizimi, ndërsa për tokat bujqësore kanë çertifikatë pronësie.

Ndërsa një banor është shprehur se duhet sqaruar e vërteta se banorët e Bërxullës nuk përfaqësohen nga asnjë forcë politike.

"Kandidati i bashkisë Vorë, ka dalë dje me lajme nëpër portale që demek e organizon ai protestën. Dhe kishin paralajmëruar protestë, protestën kemi 7 muaj që e mbajmë vetë dhe e kemi jo politike! Të mbushen portale që organizohet protesta nga kandidatët e Berishës, këtë se pranoj."- tha ai.

Gjithashtu, banorët kanë shprehur pakënaqësi për qeverinë, ku thanë se kryeministri Edi Rama duhet të ballafaqohet me ta në lidhje me pronën që t’i vlerësohet me çmimin e tregut dhe certifikatën e shpronësimit.

“Në fshatin tonë është bërë një masakër dhe nuk dihet se çfarë do ndodhë, për një muaj mbarojnë zgjedhjet dhe askush nuk do t’ja dijë. Do të ri deri në fund, shteti po të dojë të vijë te ne të ballafaqohet, mos të bëjë sehir. Nuk ia falim”, tha një banore.

“Institucionet e shtetit dhe avokati i popullit duhet të vinin këtu. Nuk na ka mbështetur njeri”, tha ai.

Banorët pretendojnë dhe se një pjesë e tyre janë "shitur" tek qeveria.

“Nuk ka asnjë zhvillim, nuk do t’ja dijë askush. As ata që kanë qenë dhe as ata që do të vijnë. Edhe një muaj do të vijnë zgjedhjet dhe më pas do të harrohet. Një pjesë e banorëve janë shitur. Shteti të vijë tek ne. Kryeministri të mos bëjë sehir atje ku është , nuk ia falim. Nuk ka dallime këtu”, tha një nga banoret.

Një nga banorët është shprehur se pushtetarët “kanë marrë miliardat për atë rrugë, secili ka marrë llokmat e majme, kurse ne vuajmë këtu.”

I përlotur, ai u shpreh se nuk ka pasur asnjë reagim dhe ata duhet të dalin në protestë në muaj Ramazani. Ndërsa i drejtohet qeveritarëve “turp, turp, turp, jeni pa gjak e pa shpirt, qeshni e bëni sehir me ne.”

“Nuk ka asnjë lloj reagimi, asnjë përgjigje. Nuk duan t’ia dinë fare kanë filluar punimet apo jo. Ky projekt është abuziv dhe është i bërë në studiot e Italisë. Kanë marrë miliarda lekë për atë rrugë. Secili ka marrë llokmat e majme, hanë pushtetarët dhe vuajmë ne këtu., Më vjen të qaj se një pjesë janë me Ramazan, turp, turp që rrinë e qeshin e bëjnë sehir, nuk bashkohen me hallet e popullit. Janë pa gjak, pa shpirt, turp të kenë, jam i irrituar. Janë mosmirënjohës ndaj banorëve që i kanë shërbyer pushtetarëve, me votat e popullit erdhën në pushtet. Duan të na shohin shtrirë në tokë, të kalojnë në trupat tonë”, tha ai.

protestë banorët e bërxullës

Lini një Përgjigje