Pas katër ditësh pa pikë uji në rubineta, qyteti i Vlorës u përball me një krizë të rëndë të furnizimit me ujë të pijshëm, ndërsa qytetarët e irrituar u ballafaquan drejtpërdrejt me drejtuesit e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve.
Drejtori i Përgjithshëm i AKUK-ut, Flauers Shoshi, deklaroi se ndodhet në qytet prej 72 orësh për të menaxhuar situatën, ndërsa tha publikisht se “nuk është larë” prej ditësh, një deklaratë që u pasua me ironi nga qytetarët e pranishëm.
Zemërimi i vlonjatëve shpërtheu në rrugë, ndërsa përballja u zhvillua në kushte tensioni. Flauers Shoshi pranoi publikisht dështimin teknik dhe tha se defekti ka ardhur si pasojë e një rrëshqitjeje dheu që dëmtoi tubin plastik të linjës kryesore.
Sipas tij, kjo është ndërhyrja e tretë në të njëjtin segment dhe se aktualisht po instalohet një zgjidhje më e qëndrueshme me tuba gize dhe çeliku. Shoshi premtoi se furnizimi i plotë do të rikthehet në mesnatë, ndërsa për momentin janë në fuqi zgjidhje provizore me autobotë dhe shpërndarje me koli.
“Një shkarje e dheut dhe depërtimi i ujit kanë shkaktuar defektin. Tubi aktual është plastik dhe aktualisht nuk përdoret më. Tani, për këtë diametër përdoren tuba gize dhe çeliku. Gjithsesi, kjo është ndërhyrja e tretë riparuese që bëhet. Këtë herë jemi më të kujdesshëm dhe nuk po e hapim deri në fund linjën, për shkak se pamë që presioni i lartë mund ta dëmtojë. Punonjësit e ujësjellësit dhe inxhinierët janë në krye të detyrës. Mirënjohje për punonjësit që kanë qëndruar 72 orë në ujë dhe në kushte brutale atmosferike për t’i sjellë ujë qytetit. Ndjesë të gjithë qytetarëve që nuk po marrin furnizim dhe u themi se jemi në detyrë ditë e natë, deri sa ta kthejmë furnizimin me ujë të Vlorës në normalitet”, tha ai.
Ty sta kemi merakun se ty te lan Bela e me pas SPAK u.