Ish-Presidenti Ilir Meta ka qenë në Kosovë para se të arrestohej nga SPAK këtë të hënë.
Sapo agjentët e BKH-së kanë marrë sinjalizimin që ka hyrë në Shqipëri kanë nisur operacionin për kapjen e tij. Kur është afruar në Tiranë, atë e kanë ndaluar në zonën e Kthesës së Kamzës.
Ndërsa ish-bashkëshortes së tij i është komunikuar masa detyrim paraqitjeje.
Kjo për faktin se Monika Kryemadhi është ende deputete. Kjo zgjedhje e SPAK është bërë për të mos dekonspiruar operacionin pasi për masën detyrim paraqitjeje nuk është i nevojshëm autorizimi i Kuvendit.
Sipas të njëjtave burime agjentët e BKH janë drejtuar në Gjirin e Lalëzit për kontrollin e banesës së Metës dhe Kryemadhit atje, por jo vetëm.
Menjëherë pas lajmit të arrestimit të Ilir Metës për pastrim parash dhe çështjen e lobimit, por edhe të caktimit të masës detyrim paraqitjeje ndaj saj, ka ardhur reagimi i Monika Kryemadhit.
Teksa e quan Metën “babai i fëmijëve të mi” dhe jo bashkëshort, ajo e cilëson si një “sulm të radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare” dhe si “lajme të servirura nga propaganda e qeverisë”.
Kryemadhi, në postimin e saj në Faceook, mohoi të kishte dijeni për masën e sigurisë dhe se “sapo të njoftohet, do përgjigjet me hapa ligjorë dhe publikë”.
Lini një Përgjigje