
Ish-prokurori i krimeve të rënda Eugen Beci tha se masa e sigurisë arrest me burg e dhënë për ish-ministrin e shëndetësisë Ilire Beqaj nuk është në proporcion me dëmin e shkaktuar buxhetin e shtetit.
I ftuar në emisionin Review në Euronews Albania, Beci tregoi se nga hetimet e SPAK rezulton se dëmi i shkaktuar nga abuzimi me fondet e BE nga agjencia shtetërore SASPAC që drejtonte Beqaj është rreth 200 mijë euro, që është shumë më pak se dëmi i shkaktuar në rastin e sterilizimit (100 mln euro) dosje për të cilën Beqajt i është dhënë masa e sigurisë detyrim paraqitjeje.
“Nga hetimet e SPAK përmes një hetimi të nisur kryesisht për këto fonde në këtë agjenci shtetërore ka arritur të zbulojë 4 pika kryesore, ku vlera totale e dëmit të shkaktuar nga abuzimi është rreth 200 mijë euro. Te dosja e sterilizimit kemi mbi 100 mln euro dëme por dukshëm kemi një shpërdorim të fondeve shtetërore shumë më tepër se ai i fondeve të BE, në të parën caktohet masa detyrim paraqitje, dhe me 200 mijë euro kemi arrest me burg.
Ky person nga data kur i është caktuar masa detyrim paraqitje nuk ka ndryshim të masës së sigurisë. Përvese nuk i ka ndryshuar asnjë situatë nga rrezikshmëria, ai e ka zbatuar në mënyrën më rigoroze masën e sigurisë. Pse u mor masa e arrestit me burg në një kohë që arresti me burg është masa e fundit e sigurisë që duhet të merret kur nuk ka asnjë alternativë tjetër? Duhet të ketë një standard ligjor, pasi subjektivizmi nuk i shërben askujt”, tha Beci.
Lini një Përgjigje