Policia e drejtësia, lënë të lirë ata që kanë pushtet e paguajnë miliona, dhe arrestojnë e lënë në burg fakirët, për të krijuar statistika suksesi për gjoja luftën kundër krimit, duke zbatuar masat penale ekstreme e jo masat alternative që parashikon Kodi Penal për veprat e lehta...
Ata që u liruan me amnisti kanë shkuar në punët e tyre, me përjashtim të dy personave, të cilët u arrestuan përsëri brenda ditës së lirimit: njeri si person në kërkim nga drejtësia italiane, ndërsa tjetri vodhi një makinë 2 orë pas daljes nga burgu.
Por vendet që ata lanë bosh në burgje, po ri-mbushen me shpejtësi, nga persona të tjerë që ka arrestuar e po arreston çdo ditë policia, prokuroria e SPAK, për vepra të ndryshme penale.
Nëpërmjet amnistisë penale u liruan nga burgu 780 persona, ndërsa sipas informacionit që disponon “Pamfleti”, gjatë dy javëve pas amnistisë, janë arrestuar 300 persona, duke zënë 40% të vendeve të që u boshatisën.
Nuk themi, të mos arrestohen ata që kryejnë vepra penale, por numri i madh i arrestimeve brenda dy javësh pas amnistisë, është tregues i absurdit, që policia dhe drejtësia shqiptare, po vazhdojnë të përdorin vetëm masat e arrestit me burg.
Nga 300 personat e arrestuar pas amnistisë, 253 akuzohen vepra të lehta e për kundravajtje penale, ndër ta dhe adoleshentë e të rinj të kapur me doza droge, vjedhje ushqimesh në dyqane, rrahje në mjedise publike e drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Për këta shkelës ligji, Kodi Procedurës Penale, parashikon edhe hetim e gjykim në gjendje të lirë me mbikëqyrje policore, arrest shtëpie e detyrim paraqitje, sepse masa të tilla janë aplikuar dhe për qeveritarë të kapur me korrupsion miliona Euro.
Argumentet e ligjit për amnistinë penale, ishin këto: rehabilitimi i të dënuarve me ri-kthim në jetën e lirë; pakësimi i numrit në burgjet e mbi-populluar; dhe zbatimi nga policia e prokuroria, i masave penale më të buta jashtë burgjeve, të personave që kryejnë vepra të lehta penale.
Por fakti, që më 24 prill u liruan 780 persona, ndërsa brenda 2 javësh pas amnistisë, janë arrestuar 300 persona, dëshmon se policia dhe drejtësia e kanë më kollaj të arrestojnë e mbushin qelitë e komisariateve dhe burgjet.
Policia e drejtësia, lënë të lirë ata që kanë pushtet e paguajnë miliona, dhe arrestojnë e lënë në burg fakirët, për të krijuar statistika me bilance suksesi për gjoja luftën kundër krimit, duke zbatuar masat penale ekstreme e jo masat alternative që parashikon Kodi Penal për veprat e lehta.
Dhe jemi përballë faktit, që amnistia boshatisi disa në burgje, ndërsa policia e drejtësi po i mbushin menjëherë me fluks arrestimesh./Pamfleti
Lini një Përgjigje