TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Qershor 2025, 10:38

Afera "Partizani"/ Shtyhet seanca e parë në GJKKO, Malltezi manovra me fletëthirrjen: Nuk e njoftova Berishën

Shkruar nga Pamfleti

Prokurori Arben Kraja kërkoi shtyrjen e seancës pasi nuk është bërë njoftimi sipas ligjit për Berishën. Seanca e radhës do të mbahet me datë 21 Korrik, në orën 10:30.

Afera "Partizani"/ Shtyhet seanca e parë në GJKKO, Malltezi
Jamarbër Malltezi, gjyqtarja Elsa Ulliri dhe Sali Berisha

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar sot seancën e parë gjyqësore në lidhje me dosjen e njohur si “Partizani”, ku ndër të pandehurit është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Në seancë, Berisha nuk ishte i pranishëm fizikisht dhe u përfaqësua nga avokatët e tij mbrojtës. Ndërkohë, në sallë ishin të pranishëm dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, si dhe biznesmeni Xhimi Begeja, të dy të pandehur në këtë çështje.

Të pandehurit e tjerë, Fatmir Bektashi dhe Andia Pustina, nuk u paraqitën personalisht dhe përfaqësoheshin nga mbrojtësit e tyre ligjorë.

Një detaj që ka tërhequr vëmendjen ishte fakti se fletëthirrja për seancën e sotme të Sali Berishës ishte nënshkruar nga vetë Jamarbër Malltezi, në cilësinë e familjarit të tij. Megjithatë, gjatë seancës, Malltezi deklaroi para trupit gjykues se nuk e kishte njoftuar Berishën për këtë seancë.

Në këtë seancë, SPAK u përfaqësua nga prokurori Arben Kraja.

Prokurori Arben Kraja kërkoi shtyrjen e seancës pasi nuk është bërë njoftimi sipas ligjit për Berishën. Seanca e radhës do të mbaghet me datë 21 Korrik, në orën 10:30.

Dosja do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh të caktuar me short Elsa Ulliri kryesuese, Bib Ndreca dhe Rudina Palloi anëtarë të trupit gjykues. Por, Ulliri ka paraqitur kërkesën për dorëheqje nga gjykimi i dosjes “Partizani”. Mësohet se dorëheqja është paraqitur tek drejtuesi i GJKKO, Erion Bani prej 10 ditësh. Në argumentet e saj thotë se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri.

Sipas SPAK, Berisha dyshohet se ka favorizuar dhëndrin përmes vendimeve qeveritare në kohën kur ishte kryeministër. Malltezi akuzohet për përfitime të paligjshme në vlerën e 5.4 milionë eurove. Berisha ndodhet në “detyrim paraqitje”, ndërsa Malltezi vijon të jetë në arrest shtëpie. Procesi është zvarritur prej 7 muajsh tanimë.

Dosja kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe pasi u mbajt peng prej 7 muajsh. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.

Sali Berisha ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në prokurori, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, është në arrest shtëpiak. Fillimisht, Berisha refuzoi të zbatojë masën e parë dhe për këtë u vendos arrest shtëpiak për 11 muaj. Apeli i Posaçëm i ndryshoi masën e sigurisë duke e lënë në detyrim paraqitje.

Kujtojmë se për herë të parë që nga krijimi i GJKKO-së në 19 Dhjetor të 2019, në bankën e të akuzuarve do të ulet një ish-kryeministër.

 

sali berisha malltezi elsa ulliri

Lini një Përgjigje