TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Janar 2025, 09:50

89-vjetori i lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, presidenti Begaj: Krenarë për vendin që ka zënë në panteonin e letërsisë!

Shkruar nga Pamfleti

89-vjetori i lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, presidenti Begaj:

Në 89-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare, presidenti Bajram Begaj tha se pavarësisht se gjeniu shqiptar i letrave nuk jeton më, ka zënë një vend të nderuar në panteonin e letërsisë dhe kulturës botërore.

Në një mesazh për ditëlindjen e tij, Begaj shprehu se Kadare do të jetojë përmes veprave të tij dhe do të vazhdojë t’i tregojë botës dramën historike dhe vitalitetin e kombit shqiptar.

Ai theksoi se Kadare ka dhënë një kontribut të paçmuar për prezantimin e kulturës dhe traditës shqiptare në nivel botëror.

“Sot, në datëlindjen e parë të Ismail Kadaresë pas ndarjes së tij nga jeta, ne ndihemi krenarë që gjeniu shqiptar i letrave ka zënë një vend të nderuar në panteonin e letërsisë dhe kulturës botërore.

Me prozën dhe poezinë e vet, ai i prezantoi botës autenticitetin dhe lashtësinë e ekzistencës sonë kombëtare. Kadare dëshmoi në çdo faqe të veprave të tij forcën titanike, sakrificat dhe përkushtimin e popullit tonë për të qenë pjesë e kulturës evropiane dhe botës progresiste.

Për aq kohë sa lexuesit në mbarë botën do të vijojnë të lexojnë librat e tij, Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”, shkruan Begaj në mesazhin e tij.

Ismail Kadare ndërroi jetë më 1 korrik 2024 në banesën e tij në Tiranë.

Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndërronin perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës. Ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa.

Etnograf sarkastik, romancier duke alternuar groteskun dhe epikën, IsmaIl Kadare eksploroi mitet dhe historinë e vendit të tij, për të zbërthyer mekanizmat e një të keqeje universale, totalitarizmit.

Lini një Përgjigje