Në Sheshin Skënderbej kanë nisur këngët dhe valet, në prag të mbajtjes së mbledhjes së Komunitetit Politik Europian, ku liderë të shumë vendeve të BE-së do të mblidhen sot në Tiranë.
Ndryshe nga samitet simbolike të viteve të mëparshme, pritshmëritë nga pala shqiptare nga takimet sot dhe nesër janë për rezultate të prekshme si instrumente, fonde dhe akses real në tregjet dhe politikat e BE-së.
Prej vitesh, Shqipëria përballet me një valë të madhe emigracioni te të rinjve, nga më të lartat në rang global në krahasim me popullsinë dhe gjithashtu renditemi si vendi me nivelin më të lartë të varfërisë sipas të dhënave të Eurostat.
Në këtë kontekst, emigrimi i kontrolluar i të rinjve i mbështetur nga programe të BE-së si Erasmus + po konsiderohet si një rrugë e mesme për të ofruar mundësi pa nxitur largimin e përhershëm.
Nga samiti i sotshëm Shqipëria pret të përfitojë më shumë mbështetje financiare dhe teknike për të zgjeruar pjesëmarrjen në këto programe dhe për të përfshirë jo vetëm studentët, por edhe të rinjtë në formim profesional, mësohet nga dokumentet zyrtare të BE-se në lidhje me samitin.
Krahas Erasmus+, pritet të diskutohet edhe një zgjerim i skemave të praktikave profesionale në vendet e BE-së dhe njohja më e gjerë e diplomave shqiptare.
Shqipëria kërkon që të jetë pjesë aktive e iniciativës për “Një Hapësirë Europiane të Arsimit”, që do t’i lejonte studentët shqiptarë të lëvizin më lirshëm për studime e punë brenda BE-së.
Në tryezën e çështjeve ekonomike pritshmëritë Shqipërisë janë për mbështetje konkrete për reformat strukturore që po ndërmerr vendi në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Nga tre tryeza bisedimesh, dy janë për agjendën ekonomike të reformave dhe politikat për rininë.
Gjithashtu vendi pret nga liderët e BE që të përshpejtojnë përfshirjen e Shqipërisë në tregun e përbashkët europian.
Në muajt e fundit, Shqipëria ka përgatitur një listë me reforma që përfshijnë përmirësimin e klimës së biznesit, digjitalizimin e administratës publike, forcimin e sistemit tatimor dhe uljen e informalitetit, por gjithashtu vendi ynë mbetet pas më një seri ligjesh dhe reformash që duhen miratuar dhe zbatuar për te alokuar fondet.
Lini një Përgjigje