
Nga investimi, te detajet operacionale dhe qëllimet e NATO, roli i bazës së Kuçovës...
Shqipëria do të kthehet në një vend strategjik sa i takon operacioneve ajrore të NATO-s. Më 4 mars do të inaugurohet baza ajrore e Kuçovës, një bazë që do të rrisë angazhimin ushtarak të vendit tonë. SHBA po investon prej më shumë se 2-vitesh dhe duket se gjithçka tashmë është gati.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha gjatë vizitës këtu në Tiranë se kjo bazë është me rëndësi për NATO, teksa po shihet mundësia dhe për të vendosur asete të tjera të aleancës. Por, pse u zgjodh Kuçova? Çfarë rëndësie ka kjo bazë dhe pse do të përdoret ajo?
Punimet nisën zyrtarisht në janar të vitit 2022 dhe bëhet fjalë për një investim afro 51 milionë euro. Në kuadër të projektit të NATO, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për furnizimin ajror; mbështetjen logjistike; mbështetje për policimin ajror; si dhe trajnime dhe stërvitje të Aleancës. Por, krahas këtyre funksioneve, Kuçova do të shërbejë gjithashtu edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare.
Pse u zgjodh Shqipëria?
Pak kohë më parë, gjenerali lejtnant, Stephe Twitty dhe zv. Komandat i Forcave Amerikane në Evropë, ka hedhur më shumë dritë për funksionin e kësaj baze. I pyetur se përse u zgjodh Kuçova, ai tha: “Për disa arsye. E para, nëse shikoni aksesin, është në një vend shumë të mirë për të mundësuar akses në Ballkan dhe e dyta modernizimi i asaj baze do të sjellë aftësi dhe kapacitete që nuk janë në asnjë bazë në këtë Rajon. Jo vetëm NATO është e lumtur që do ta përdorë por edhe ne, Ushtria e SHBA jemi të lumtur që do ta përdorim atë bazë”.
Më tej ai ka hedhur dritë mbi rolin e kësaj baze. Gjenerali amerikan deklaroi se ajo do të popullohet nga ushtarë të NATO e SHBA. “Do të shihni më shumë forca të NATO-s që do jenë në bazë, do të shihni forca amerikane dhe si rezultat mund të shihni dhe një zhvillim ekonomik. Është ende herët për të bërë një parashikim, por jam i sigurt që sa më shumë trupa të vijnë e ta përdorin, aq më shumë do të mund të shihen dhe frytet ekonomike. Por edhe njëherë, është ende herët në këtë pikë”, tha ai.
Investimi
Në shtator të vitit 2020, shkoi në Parlament marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe NATO për bazën e Kuçovës. Në këtë marrëveshje jepen dhe shumë detaje.
Sipas draftit, 100 mijë euro kanë shkuar për restaurimin e kullës së kontrollit. 8.545.000 euro kanë shkuar për sigurimin e mjediseve për depozitimin dhe furnizimin me karburant për avionët. 2,000,000 euro për sigurimin e mjediseve për municionin. 672,000 euro për sigurimin e qendrës kundër avarive dhe zjarrit dhe 30.000.000 euro për restaurimin e pistës.

Mesazhi për Rusinë
Ngritja e bazës ushtarake në Kuçovë padyshim është një mesazh për Moskën. Për herë të parë NATO do të ketë një bazë në rajon dhe ja bën të qartë Rusisë se nuk do të lejojë asnjë lloj destabiliteti. Po ashtu baza jonë do të ndihmojë SHBA në operacionet e saj në ndihmë të Ukrainës, por dhe konfliktet në Lindjen e Mesme. Baza e Kuçovës do të jetë një bazë mbështetëse, që do të thotë se do të asistojë në operacionet e avionëve të NATO dhe SHBA.

“Nëse ne kemi një Ballkan të stabilizuar, atëherë kemi dhe një Evropë të stabilizuar. Është kyçe që Ballkani të mbetet një zonë e qetë dhe kjo është dhe arsyeja se pse ne zhvillojmë këtë konferencë sot. Ka shumë vende që janë angazhuar edhe sot këtu, përkushtuar ndaj stabilitetit në Rajon. Por ajo që ne kërkojmë dhe angazhimi im si zv. Komandant i EUCOM këtu është që të sigurojmë që kemi paqe dhe stabilitet në vendet e Evropës dhe pjesë e asaj paqe dhe stabiliteti është dhe të sigurohemi që edhe Ballkani është stabël. Njësoj si dhe Baltiku. Ne e dimë që Lindja është e kërcënuar nga aktivitete dashakeqe dhe ne duam të sigurojmë partnerët dhe aleatët tanë që i mbështesin ata për të arritur objektivat në çështjet e sigurisë”, tha pak kohë më parë gjenerali lejtnant, Stephe Twitty.
Ja si u krijua baza e Kuçovës
Reparti Ushtarak 3362 Kuçovë mbante emrin Reparti “23 Peza”. Ai u krijua si formacion i parë i madh luftarak i Forcave Ajrore për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë. Bërthama e parë e këtij regjimenti u krijua me vendim të posaçëm, ku u morën masa për përgatitjen e efektivit pilot e teknik për teknikën e re reaktive me të cilën do të pajisej reparti. Krahas këtyre u morën masa për përgatitjen e ambienteve për pritjen e efektivit dhe teknikës. Pas përfundimit të përgatitjes së efektivit pilot e inxhiniero-teknik, regjimenti mori formën e plotë, i gatshëm për kryerjen e detyrave. 15 maj 1955 është dita e krijimit të regjimentit.

Me vendim të posaçëm të Kuvendit Popullor Nr.81 datë 06.11.1956, regjimentit i dorëzohet Flamuri Luftarak me mbishkrimin “Regjimentit 23 të Aviacionit Gjuajtës PEZA”. Në janar të vitit 1956 në regjiment filloi përgatitja luftarake e organizuar mbi bazën e një planëzimi të rregullt. Në maj të vitit 2018 me urdhër të ministrit të Mbrojtjes u krijua nënreparti i ofiçinës së mirëmbajtjes së aviacionit me komandant Daut Gurabardhin, ndërkohë që një pjesë e pilotëve shkuan për studime për helikopterë.
Ndërkohë, nuk duhet harruar se SHBA po sheh mundësinë për të ndërtuar edhe një bazë detare në vendin tonë që nëse ndodh, Shqipëria do të jetë mes shteteve “armike” të Moskës. /Pamfleti

Lini një Përgjigje