
Pas pesë ditësh nën tym të dendur dhe alarm publik, më në fund zjarri në venddepozitimin e mbetjeve urbane në Elbasan është vënë nën kontroll. Operacioni ka kërkuar angazhim masiv të forcave zjarrfikëse, mjeteve të rënda dhe stafit teknik, duke sjellë një kosto të konsiderueshme për buxhetin lokal dhe qendror.
Pavarësisht se flakët janë shuar dhe situata është stabilizuar, mbetet e hapur çështja e përgjegjësisë dhe e përsëritjes së këtij skenari që, për banorët, është bërë një ritual i errët veror.
Prej vitesh, çdo verë Elbasani përballet me të njëjtin realitet të zymtë. Landfilli, që duhet të ishte një pikë e kontrolluar teknologjikisht për menaxhimin e mbetjeve, shndërrohet në vatër zjarri, ndotjeje dhe paniku. “Ka vite, çdo verë i njëjti muhabet. Ia vendosin flakën vetë, se aty nuk hyn njeri”, thotë një qytetare, teksa mban dritaret e mbyllura dhe jeton nën frikën e helmimit nga tymi. “Shumë tym. Mbuloi gjithë vendin. Unë jam me alergji dhe nuk e duroja dot. Nuk dilja dot jashtë”, shton një tjetër banore, duke shprehur revoltën ndaj mungesës së reagimit institucional.
Për ngjarjen, prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim zyrtar për të përcaktuar shkaqet e ndotjes dhe origjinën e zjarrit. Por si në shumë raste të mëparshme, edhe këtë herë nuk ka ende një version zyrtar apo ndonjë përgjegjës të identifikuar. Flakët vijnë, konsumojnë tonelata plehra, mbysin qytetin në tym dhe largohen, ndërsa sistemi i drejtësisë ngel në vendnumëro.
Lini një Përgjigje