
Pas 30 vitesh nga sulmi i organizatës greke, shteti shqiptar ngre memorial për Fatmir Shehun dhe Arsen Gjinin...
Ditën e sotme shënohen 30 vite nga masakra e Peshkëpisë. Një ngjarje kjo që do të mbahet mend gjatë, teksa këto muaj ka qenë edhe mjaft aktuale, pasi një ndër autorët e kësaj masakre, sot ndodhet në qeli. Por jo për vrasje, por për vjedhje votash. E kemi fjalën për Fredi Belerin.
Ndërkohë janë dashur 30 vite që shteti shqiptar të kujtohet për 2 viktimat e masakrës. Mësohet se është ngritur një memorial në nderim të kapiten Fatmir Shehu dhe Arsen Gjinit, të cilët u vranë pabesisht nga ekstremistë grekë teksa ndodheshin në krye të detyrës në repartin ushtarak pranë fshatit Peshkëpi.
Sipas “Argjiro Lajm”, inaugurimi i memorialit është bërë sot ku pati edhe një ceremoni me pjesëmarrjen e autoriteteve lokale në Gjirokastër. Pra duket se shteti u kujtua pas 30 vitesh për ta, ndërkohë që absurdi është se autorët kandidojnë për kryetarë bashkie dhe drejtësia është e pafuqishme për të zbardhur këtë masakër.
Si ndodhi masakra
Historia e masakrës së Peshkëpisë nis në 1994, ku mbeti i vrarë roja dhe komandanti i këtij reparti dhe u plagosën katër ushtarakë të tjerë. Posta Kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër u sulmua më datë 10 prill të vitit 1994, rreth orës 03:00 të mëngjesit. Organizata terroriste greke “Mavi”, kaloi kufirin e gjelbër nga Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, në Postën Kufitare të Peshkëpisë, ku ishin rreth 130 rekrutë që nuk u kishin besuar armë akoma. Për çudi ato ditë dhe rojet e postës ishin pa fishekë.
Ata vranë komandantin e postës, Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe plagosën ushtarët e tjerë: Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi. Gjatë sulmit, ata morën peng edhe një nga ish-nënoficerët e këtij reparti kufitar, Qemal Strokën, i cili më pas u la i lirë në kufi.
Pas kësaj ngjarje në një gazetë greke, 24 orë më pas merret përsipër sulmi nga Mavi ose Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit, e cila nga shteti grek është listuar në këtë periudhë si organizatë terroriste. Pra, kemi të bëjmë me një akt që u mor përsipër nga një organizatë terroriste.
Anëtarët e këtij grupi terrorist rrëmbyen edhe armët luftarake që ishin në depon e repartit dhe u kthyen sërish në territorin grek. Arsen Gjini u qëllua i pari gjatë këtij sulmi, duke mbetur i vrarë. Më pas, autorët mësynë brenda godinës dykatëshe duke hyrë në fjetinën ku ndodheshin rekrutët dhe në depon ku ruhej armatimi për të parandaluar çdo kundërpërgjigje.
Autoritetet greke kishin ndaluar më 18 mars të vitit 1995, 7 të dyshuar si autorë të masakrës së Peshkëpisë. Ata sapo kishin dështuar në një tjetër sulm terrorist ndaj kufirit shqiptar. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj të ndaluarve, u gjetën edhe armët e municionet e rrëmbyera në Postën Kufitare të Peshkëpisë.
Të ndaluarit e komandës së ashtuquajtur “Pirro i Parë”, ishin:
Jorgos Anastasulis, 34 vjeç, shtetas grek, oficer, Apostolos Karvelas, 26 vjeç, shtetas grek (ish-polic rrugor), Marios Kutula, 25 vjeç, qytetar shqiptar, Fredi Beleri, qytetar shqiptar, 23 vjeç, (i cili përdor disa emra si Dionisios dhe Foti), Jorgo Kristo, 26 vjeç, Jorgo Papa, 30 vjeç, të gjithë këta janë nga Himara, Harallamb Papa, 21 vjeç, nga Krioneri i Gjirokastrës.

Edhe pse armët e gjetura ishin ato të vjedhura në Peshkëpi, Gjykata në Athinë vendosi se këto nuk ishin prova të mjaftueshme dhe të gjithë u liruan.
Pushimi i hetimeve për Belerin
Hetimi zyrtar nga autoritetet shqiptare për ngjarjen e Peshkëpisë nis vetëm në vitin 2019, i drejtuar nga prokurori Eugen Beci. Prokurorët e Krimeve të Rënda grumbullojnë gjithë materialet për ngjarjen, përfshirë ato që gjendeshin në arkivin e Policisë, në sirtarët e Shërbimit Sekret dhe Anti-terrorit.
I dyshuari i parë që u mor në pyetje për sulmin terrorist ishte Fredi Belri, i cili ishte përmendur gjerësisht edhe në mediat shqiptare si autor i kësaj ngjarjeje. Ai u mor për tri orë në pyetje më 22 maj 2019, dhe në fund atij iu komunikua dhe akuza e ngritur: “Kryerje e aktiviteteve dhe veprimtarive terroriste”.
Në hyrje të derës së prokurorisë, Fredi Beleri deklaroi asokohe: “Erdha në Prokurori që të mbarojë baltosja dhe poshtërimi ndaj figurës sime për një çështje që nuk kam asnjë lidhje. Në ditën dhe në muajin që është bërë veprimi, unë kam qenë në Qipro. Edhe autoritet greke, edhe ato shqiptare, kanë prova që të ndalojnë poshtërimin e figurës sime për veprimet e mia politike”.
Por ky hetim, edhe pse vërtet serioz, nuk shkon deri në fund për shkak të parashkrimit të veprës penale, por edhe ping pongut me letër-porositë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje