TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Maj 2025, 14:01

100 Vjet KLSH/ Nga inspektori “myfetish” te institucioni modern, një histori e pandërprerë e kontrollit financiar në Shqipëri

Shkruar nga Kastriot Kotoni

 100 Vjet KLSH/ Nga inspektori “myfetish” te institucioni modern,

Pavarësisht nga përpjekjet për ta paraqitur popullin shqiptar si të paaftë për të ndërtuar shtet, historia institucionale dhe zhvillimi i mekanizmave të kontrollit financiar dëshmojnë të kundërtën. Nga periudhat e hershme të organizimit shoqëror në territoret shqiptare, deri tek përpjekjet moderne për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe efikase, vija e kontrollit të pasurisë publike është ndjekur dhe zhvilluar me vazhdimësi.

Në dokumentet e shtetit shqiptar që nga Statuti i Lushnjës (1922), gjejmë përpjekjet e para për të institucionalizuar kontrollin financiar përmes një “Organi Kontrollues të Financave”, me rol parashikues dhe ndëshkues. Kjo përpjekje, edhe pse e papërmbushur plotësisht në atë kohë, u konkretizua me formimin e Këshillit Kontrollues në vitin 1925, me dekret të Presidentit të Republikës. Fejzi Alizoti ishte kryetari i parë, dhe risi ishte përfshirja e një prokurori pranë këtij institucioni, siç ndodhi me Dhimitër Kacimbrën në 1929.

Ndikimet historike mbi këto zhvillime janë të shumta – nga modeli bizantin dhe ai osman, ku ekzistonin forma të centralizuara të kontrollit financiar, deri te eksperimentet më moderne me sistemet perëndimore në vitet ‘20 dhe ndikimet socialiste pas vitit 1944. Gjatë periudhës komuniste, ekzistenca e institucioneve si Gjykata e Arbitrazhit dhe auditimet e ndërmarrjeve shtetërore, dëshmojnë për një vijimësi të funksioneve kontrolluese, pavarësisht rrethanave politike.

Pas vitit 1990, nevoja për një institucion jo të politizuar dhe profesional ishte thelbësore. Ngjarjet e vitit 1997 treguan dobësinë e institucioneve ekzistuese, por ndërkohë u hap rruga për forcimin e pavarësisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili sot është jo vetëm një institucion kushtetues, por edhe një aktor me ndikim real në mirëqeverisjen financiare.

KLSH sot ka zgjeruar spektrin e veprimtarisë së tij, duke përfshirë fushat si siguria kibernetike, mjedisi, çështjet sociale dhe siguria kombëtare. Bashkëpunimi me strukturat e drejtësisë është intensifikuar, ndërsa angazhimi ndërkombëtar me INTOSAI dhe EUROSAI ka hapur horizonte të reja për shkëmbim ekspertize dhe standardizim metodologjik.

Nga periudha kur funksiononin inspektorë të financave të njohur si “myfetish” në Perandorinë Osmane, deri tek funksionet e kontrollit në kohën e Princ Vidit apo gjatë pushtimit austriak dhe francez, praktikat e kontrollit nuk kanë munguar kurrë. Ato kanë ndryshuar në emërtime, metodologji dhe funksion, por në thelb kanë ruajtur qëllimin bazë: mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e ligjshmërisë në përdorimin e pasurisë shtetërore.

Në këtë 100-vjetor të institucionit të kontrollit të lartë, kjo histori, edhe pse jo gjithmonë e dokumentuar në mënyrë të plotë, është një provë se Shqipëria ka pasur dhe ka kapacitete të brendshme për të ndërtuar institucione të qëndrueshme. Historia e këtij institucioni është historia e një shteti që ka ditur të luftojë korrupsionin, herë me sukses, herë me vështirësi, por gjithmonë me një frymë që mbetet: logjika e llogaridhënies./Pamfleti

klsh 100vjetori

Lini një Përgjigje