
Ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri dhe familjarët e tij, të cilëve SPAK u ka sekuestruar pasuritë, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar lirimin e pasurive nga masa e sekuestros.
Prokuroria e Posaçme njoftoi në maj të këtij viti se kishte vendosur në sekuestro pasuri me vlerë 3 milion euro në pronësi të Oltion Bistrit, i arrestuar më herët me akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale.
Sipas SPAK, ndaj Oltion Bistrit dhe familjarëve të tij (të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për shtetasin Oltion Bistri), janë sekuestruar pasuri të llojit: 22 njësi (dyqane/ambiente biznesi); 10 apartamente; 1 vilë në rezidencën “Green Valley”, 200 metra truall në kryeqytet, një garazh dhe një makinë.
Ish-shefi i Forcave Operacionale, Oltian Bistri ishte një nga 6 të arrestuarit e operacionit “Metamorfoza” në 27 Korrik 2023.
Sëbashku me të u arrestua edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita, ish-polici Ardit Hasanbega, Astmer Bilali dhe Edmond Preka
Biznesmeni Pëllumb Gjoka, dyshohet për vrasje me paramendim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ish-shefin e Forcave Operacionale Oltion Bistri, dyshohet për shpërdorim detyre dhe zbulim të akteve sekrete; kryeprokurorin e Kukësit Xhevahir Lita dhe 3 të tjerë, të dyshuar për korrupsion.
Ndërkohë sipas përgjime nga aplikacioni “SKY”, i cili përdorej nga biznesmenë, politikanë dhe grupe kriminale në Shqipëri, për të mos u përgjuar, ish-shefi i Forcave Operacionale i raportonte biznesmenit Gjoka për kundërshtarët.
Falë partnerëve francezë u bë i mundur çkodimi i këtij aplikacioni që çoi në burg biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-nëndrejtorin e Policisë Oltion Bistri, ish-prokurorë dhe anëtarë të botës së krimit.
Në komunikimet që oficeri Bistri kishte me biznesmenin Gjoka, i raportonte këtij të fundit të gjitha ankesat që kishin qytetarët për të dhe bizneset e tij.
Lini një Përgjigje