TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Korrik 2026, 11:40

Zjarret masive përfshijnë Francën dhe Spanjën, evakuohen mbi 300 mijë persona

Shkruar nga Pamfleti
Zjarret masive përfshijnë Francën dhe Spanjën, evakuohen mbi
Zjarret masive përfshijnë Francën dhe Spanjën

Franca dhe Spanja vijojnë të përballen me zjarre të mëdha, ndërsa kushtet e pafavorshme atmosferike po vështirësojnë përpjekjet për vënien e tyre nën kontroll. Në jugperëndim të Francës, zjarrfikësit po luftojnë me flakët që, të shtyra nga erërat e forta, po avancojnë drejt qytetit të Bordeaux. Autoritetet e kanë cilësuar situatën si jashtë kontrollit.

Më shumë se 300 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre në Francë dhe Spanjë për shkak të zjarreve që kanë përfshirë të dy vendet prej disa ditësh. Temperaturat e larta dhe era e fortë po pengojnë ndërhyrjen efektive të ekipeve të emergjencës.

Në Spanjë, ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, një përmirësim i motit ka ndihmuar zjarrfikësit që po luftojnë me flakët në zonat pranë Madridit.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, deklaroi se vendi përballet me "ditë të vështira", ndërsa autoritetet në Valencia konfirmuan viktimën e parë. Një burrë, që besohet të ketë qenë rreth të 70-ave, u gjet i pajetë brenda automjetit të tij nga zjarrfikësit, gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri në përroin Salt de l'Aigua, në Manises, raportojnë mediat lokale.

Në Francë, autoritetet urdhëruan mbrëmjen e së shtunës evakuimin e 55 mijë personave të tjerë, duke e çuar numrin total të të evakuuarve në rreth 250 mijë në rajonet jugperëndimore Gironde dhe Landes.

Kapiteni i zjarrfikësve, Nicolas Braz, deklaroi për agjencinë AFP se zjarri kishte krijuar "erërat e veta, të shoqëruara me vorbulla", duke e përshkruar situatën si "të paparashikueshme dhe të papërballueshme". Sipas tij, edhe nata pritet të jetë jashtëzakonisht e vështirë për ekipet në terren.

Për të përballuar emergjencën, Franca ka angazhuar edhe ushtrinë. Trupa shtesë janë dërguar për të ndihmuar zjarrfikësit në pastrimin e shkurreve dhe krijimin e zonave mbrojtëse për të frenuar përhapjen e flakëve.

Presidenti Emmanuel Macron deklaroi se Franca do të "rindërtohet" dhe se qeveria do të jetë pranë qytetarëve "për aq kohë sa të jetë e nevojshme". Ndërkohë, tymi i dendur i zjarreve është përhapur deri në qytetin e Bordeaux, ku banorët raportojnë një erë të fortë djegieje në ajër.

Një turist që u evakuua së bashku me familjen nga një zonë pranë Bordeaux e përshkroi situatën si "të frikshme". Spencer Randall tha për BBC se familja e tij u largua në orët e para të së shtunës drejt një zone rreth 100 milje më në lindje, por edhe aty "era e zjarreve ndihet ende". Sipas tij, era e fortë po ushqen flakët dhe e bën situatën tepër të rrezikshme.

Presidenti Macron pritet të zhvillojë një mbledhje urgjente me ministrat, ndërsa rreth 30 vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive në mbarë Francën. Qeveria franceze e ka cilësuar këtë situatë si krejtësisht të paprecedentë.

francën dhe spanjën zjarret masive evakuohen mbi 300 mijë persona

Lini një Përgjigje