
Data 5 prill 2025 do jetë historike për Klubin e Futbollit Vora, pasi skuadra e drejtuar nga Arian Bellai ka siguruar matematikisht titullin kampion në Kategorinë e Parë dhe dy javë nga fundi i sezonit është skuadra e parë që siguron ngjitjen në Superligë. Për herë të parë në historinë 36-vjeçare të KF Vorës, klubi do luajë sezonin që vjen mes më të mirave të vendit.
Në stadiumin e Vorës, në prezencën e tifozëve skuadra vendase mposhti 2-0 Burrelin me golat e Kasallës dhe Dalipit, duke kryesuar me 76 pikë renditjen, shtatë më shumë se ndjekësit e Flamurtarit.
Lufta për ngjitjen direke në Kategorinë Superiore do të vuloset vetëm në dy javët e fundit të këtij sezoni të Kategorisë së Parë. Kjo pasi Flamurtari ka dështuar në përballjen direkte ndaj Besës dhe në vend që të festonte siç ishte përgatitur për kthimin në elitë, tani sheh t’i rrezikohet ndjeshëm ky objektiv.
Kavajasit gjetën shpejt avantazhin me anë të Nonatos dhe më pas u mbrojtën me shumë rregull, duke gjetur edhe dyfishimin e rezultatit me një kundërsulm perfekt të finalizuar nga Dabo. Kjo bëri që Flamurtari të tronditej e për shumë minuta të kishte vështirësi të reagonte.
Vlonjatët u përpoqën më shumë në pjesën e dytë, por pa gjetur në asnjë moment hapësirat e duhura për të gjuajtur në portën e miqve, të cilët mbyllën ndeshjen me këtë fitore të pastër dhe tani kanë vetëm një pikë larg vlonjatët, me shansin real për t’i kaluar në javët e mbetura.
Gjithashtu edhe Pogradeci ka marrë një fitore të rëndësishme, me ekipin e Ardian Memës që ka mposhtur 2-1 Valbonën. 3 pikët i ka siguruar edhe Apolonia, e cila mposhti 5-1 skuadrën e Erzenit.
Korabi nga krahu tjetër mori një fitore “jetike” përballë Kastriotit, duke fituar kështu përballë një rivali direkt për “Play-Out”. Ndërkohë Kukësi mori humbjen e 3 rresht në kampionat, teksa këtë herë u mposht 2-1 nga Lushnja.
Lini një Përgjigje