
Pas dy fitoreve radhazi dhe përpara çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, Arsenali ndalon ritmin në kampionat. “Topçinjtë” nuk shkojnë më shumë se barazimi 1-1 në “Goodison Park” kundër Evertonit. Nuk mjaftoi për Mikel Artetën goli i avantazhit, i realizuar nga Troshard, pas një asisti nga Stërling, në minutën e 34.
Në fillim të pjesës së dytë, “Toffees” morën një penallti disi të dyshimtë, të cilën Ndiaje e shndërroi në gol, duke vendosur barazpeshën 1-1. Ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në fund të ndeshjes. Vlen të theksohet fakti se për vendësit u aktivizua edhe Armando Broja në minutën e 65, por nuk mundi dot të krijonte rrezik serioz te porta e londinezëve.
Me këtë barazim, Arsenali mund të humbasë terren të mëtejshëm ndaj Liverpulit, pra kreut të Premier Ligës. Nëse fitojnë për llogari të kësaj jave kampionati, të 31, nesër ndaj Fulhamit, të kuqtë mund të shkojnë në +14 pikë.
Lini një Përgjigje