
Ndeshja e sotme e Kategorisë së Parë, ajo mes Ilirisë dhe Skënderbeut nuk u zhvillua. Shkak për këtë, sipas ekipit korçar u bë dhuna e lojtarëve të Ilirisë ndaj “bardhekuqve”.
Ndërkohë që për këtë situatë, për herë të parë ka reaguar trajneri Ernest Gjoka. Në një prononcim të shkurtër të dhënë për “Newsport.al”, Gjoka ka treguar se futbollistët e Ilirisë u sulën duke goditur me grushte ata të Skënderbeut.
“Situata tashmë është më e qetë për futbollistët tanë. Sigurisht ishte një situatë e jashtëzakonshme, e paprecedentë. Kur pamë disa futbollistë të ekipit kundërshtar, që u sulën duke goditur me grushte, disa nga futbollistët tanë. Shumë e shëmtuar si ngjarje, s’kam asnjë koment më shumë”, tha Ernest Gjoka për “Newsport.al”.
Klubi i Skënderbeut bëri me dije se disa nga futbollistët e tyre, si edhe trajneri Ernest Gjoka janë dhunuar nga futbollistët dhe stafi i Ilirisë, me të mbërritur jashtë stadiumit. Korçarët duket se do tërhiqen nga kjo ndeshje. Të dhunuar, veç trajnerit Ernest Gjoka ishin edhe Saleh Nasr, Altin Ukiçi dhe Mario Gjata.
Nga ana tjetër, klubi i Ilirisë së Fushë-Krujës pretendon se futbollistët e saj nuk kanë ushtruar dhunë kundër atyre të Skënderbeut, duke i quajtur 'shpifje' pretendimet e korçarëve.
Në një reagim publik, Iliria tregon se forcat e rendit kanë qenë në ambientet e stadiumit për të garantuar sigurinë.
Përkundër deklaratës së Ilirisë, FSHF anuloi sfidën duke treguar për dhunën në ambientet e stadiumit të Fushë-Krujës.
Çështja do të shqyrtohet nga komisionet juridike të FSHF-së, të cilat do të marrin vendimin përfundimtar lidhur me këtë ndeshje.
Lini një Përgjigje