TAGS-AT E JAVËS

Sport25 Qershor 2026, 13:54

Terror në Meksikë/ Makina futet mes tifozëve që festonin fitoren në Botëror, 17 të plagosur

Shkruar nga Pamfleti
Terror në Meksikë/ Makina futet mes tifozëve që festonin
Makina përplas tifozët

Të paktën 17 persona mbetën të plagosur pasi një automjet u fut mes turmës së tifozëve që festonin fitoren e kombëtares së Meksikës në Cabo San Lucas. Autoritetet kanë arrestuar personat që ndodheshin në automjet dhe po hetojnë rrethanat e ngjarjes...

Të paktën 17 persona u plagosën pasi një automjet u fut mes tifozëve që po festonin fitoren e kombëtares së Meksikës në Kupën e Botës, në qytetin turistik Cabo San Lucas.

Qindra tifozë ishin mbledhur në rrugët e qytetit pas fitores 3-0 të Meksikës ndaj Çekisë, rezultat që i siguroi ekipit vendin e parë në grup dhe kualifikimin në fazën e 32 skuadrave më të mira të turneut.

Rreth orës 21:45 me orën lokale, tifozët, të veshur me fanellat jeshile të kombëtares, festonin në rrugë, ndërsa trafiku ishte bllokuar për shkak të turmës.

Pamjet e publikuara në internet tregojnë një grup tifozësh që rrethojnë një automjet të zi, duke goditur xhamat dhe kofanon e tij. Pak çaste më vonë, drejtuesi i mjetit përshpejtoi papritur, duke u futur në turmë dhe duke plagosur disa persona, përpara se të tentonte të largohej nga vendi i ngjarjes.

Sipas autoriteteve, personat që ndodheshin në automjet u arrestuan menjëherë pas incidentit. Të gjithë të plagosurit u transportuan në spitalet lokale, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Bashkiak të Los Cabos, Alberto Rendería Santana, deklaroi se hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë ende në vijim.

Cabo San Lucas, i vendosur në skajin jugor të gadishullit Baja California, është një nga destinacionet më të njohura turistike të Meksikës, i njohur për plazhet, aktivitetet e zhytjes dhe jetën detare.

Pas incidentit reagoi edhe Federata Meksikane e Futbollit. Në deklaratën e saj, federata shprehu keqardhje për ngjarjen, solidaritet me të plagosurit dhe familjet e tyre, si dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarit.

"Federata Meksikane e Futbollit shpreh keqardhje të thellë për incidentin e ndodhur gjatë festimeve të tifozëve në Los Cabos pas fitores së kombëtares. U shprehim mbështetjen tonë të plagosurve dhe familjeve të tyre dhe shpresojmë që autoritetet kompetente të sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe të përcaktojnë përgjegjësit," thuhet në deklaratë.

 

meksike makina tifoze

Lini një Përgjigje