
U kritikua shumë për transferimin e tij në Arabinë Saudite, por Mario Mitaj po shndërrohet në një yll për ekipin e Al Itihad. Anësori kuqezi ishte sërish protagonist, këtë herë në sfidën direkte kundër Al-Nassr të Kristiano Ronaldos. Mitaj ideoi një aksion sulmues në frymën e fundit, asisti i tij i dhuroi ekipit të Al Itihad fitoren 2-1 përballë CR7.
Pavarësisht se është shpërngulur në Azinë e largët, emri i Mitaj vijon të qarkullojë fuqishëm në Evropë, këtë herë në Angli. Pak kohë më parë, emri i Mitaj ishte prezent në Serinë A, por paraqitjet e tij të shkëlqyera kanë zgjuar interesimin edhe në Premier Ligë, ku sipas mediave të huaja, mbrojtësi kuqezi po ndiqet nga ekipe të mëdha si Totenhemi dhe Njukasëlli.
Në lidhje me këtë situatë ka folur babai i futbollistit, Lin Mitaj.
“Është shumë herët të flasim për djalin tim që largohet nga Lokomotiva. Nuk ka asgjë zyrtare nga këto klube. Diçka e mirë është se klubi ku Mitaj po luan aktualisht kanë besim tek ai dhe e aktivizojnë. Prandaj ne nuk mendojmë për asgjë tjetër, përderisa nuk ka asgjë zyrtare”, është shprehur babai i Mario Mitaj për median ruse, “Sport24”.
Kujtojmë që Mitaj është nën kontratë me ekipin e Lokomotivës së Moskës, por është në huazim tek Al Itihad deri në përfundim të këtij sezoni. Mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë Mitaj në përfundim të këtij sezoni, pasi nuk përjashtohet mundësia që Al Itihad të blejë përfundimisht kartonin e mbrojtësit shqiptar.
Lini një Përgjigje