
Kuqezinjtë do të kërkojnë me çdo kusht fitoren për të mbajtur gjallë ëndrrën për t’u kualifikuar për herë të parë në një Kampionat Botëror
Starton “finalja” në stadiumin “Duboçica” të Leskovcit mes Serbisë dhe Shqipërisë e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës. Kuqezinjtë do të kërkojnë me çdo kusht fitoren për të mbajtur gjallë ëndrrën për t’u kualifikuar për herë të parë në një Kampionat Botëror, ndërsa Serbia për të prerë biletën për herë të tretë radhazi në një Kupë Bote.
Dy skuadrat janë përballur mes tyre 11 herë, ku mes këtyre ndeshjeve llogariten edhe ato që kuqezinjtë kanë luajtur në të shkuarën kundër ish-Jugosllavisë. Në 11 takimet e mëparshme, 3 ndeshje kanë qenë mes Shqipërisë e Serbisë, e 8 të tjera kanë qenë mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, megjithatë fitorja e vetme e kuqezinjve ka qenë në 14 tetorin e vitit 2014, me rezultatin 0-3 në tavolinë, fitore kjo që e ndihmoi Shqipërinë të shkonte në Europianin e 2016 me 14 pikë.
Veç asaj fitoreje, kuqezinjtë nuk kanë arritur të fitojnë asnjëherë tjetër, teksa 8 fitore i ka Serbia kundër nesh dhe dy të tjera janë mbyllur në barazim, ku e fundit ishte në qershor në Tiranë. Kuqezinjtë do të synojnë që të marrin një tjetër fitore sonte në mbrëmje, ku padyshim që do të ishte një nga fitoret më historike.
Istvan Kovac nga Rumania do të jetë gjyqtari kryesor i ndeshjes, i ndihmuar nga Mihai Marica dhe Ferenc Tunjogi.
UEFA ka caktuar Horacio Fesnica-n, gjithashtu nga Rumania, si gjyqtarin e katërt. Dhoma e VAR-it do të jetë e zënë nga gjermanët Bastian Dankert dhe Pascal Müller.
-Forma e skuadrave
Shqipëria: Me fitoren 1-0 në shtëpi ndaj Letonisë muajin e kaluar, Shqipëria mbetet e pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit (3 fitore, 2 barazime) dhe synon një fitore të tretë radhazi për herë të parë që nga tetori i vitit 2023.
Shqipëria ka arritur që të marrë vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e saj jashtë shtëpisë në Grupin K. (Barazim me Letoninë dhe humbje ndaj Anglisë). Matematika nuk e lejon që edhe në përballjen me Serbinë të humbasë pikë, pasi gjërat komplikohen. Një rezultat pozitiv përballë Serbisë është çelësi që hap një derë për të shkuar në Kupën e Botës për herë të parë në histori.
Serbia: Një nisje e kualifikueseve pa humbje në Grupin K (2 fitore, 1 barazim), e shoqëruar me tre ndeshje pa pësuar gola, e bëri Serbinë të dukej si një pretendente të mirë për vendin e parë, por një disfatë shkatërruese 5-0 në shtëpi kundër Anglisë në ndeshjen e tyre të fundit i solli serbët me këmbë në tokë. Kjo humbje e rëndë erdhi disi papritur, pasi skuadra e Dragan Stojković ishte e pamposhtur në shtatë ndeshje të mëparshme (3 fitore, 4 barazime). Ishte gjithashtu humbja e tyre e parë në shtëpi që nga shtatori 2023 (4 fitore, 3 barazime). Përballja me Shqipërinë kërkon vetëm 3 pikët, nëse serbët duan të sigurojnë një pjesëmarrje të tretë radhazi në finalet e Kupës së Botës.
-Përballjet ‘kokë më kokë’
Serbia dhe Shqipëria kanë luajtur tre ndeshje deri më tani, por asnjëra nuk ka qenë aq e rëndësishme sa kjo e ditës së sotme që të hap një derë për në Kupën e Botës.
Megjithatë, e para do të mbahet mend për një kohë shumë të gjatë, kryesisht për gjërat që ndodhën jashtë fushës. Në kualifikueset e Kampionatit Evropian 2016, ndodhi incidenti i famshëm me dron, i cili bëri që ndeshja të ndërpritej për shkak të rrëmujës në stadium. Më vonë pikët iu dhanë Shqipërisë në tavolinë.
Në ndeshjen e kthimit në Tiranë, Serbia mposhti Shqipërinë 2:0 me gola nga Aleksandar Kolarov dhe Adem Ljajić në minutat e fundit të ndeshjes.
Ndërkohë që takimi i tretë u luajt në qershor të këtij viti dhe nuk pati gola. Shqipëria pati rastin e artë të shënonte me një penallti të akorduar në fund të pjesës së parë, por goditja e Manajt u ndal nga portieri serb, Đorđe Petrović.
Lini një Përgjigje