TAGS-AT E JAVËS

Sport30 Maj 2025, 21:00

Shqipëria në punë dhe Serbia në plazh, përballja me ritme të ndryshme para sfidës në “Arena Kombëtare”

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria në punë dhe Serbia në plazh, përballja me

Për shqiptarët, Serbia nuk është thjesht një kundërshtar sportiv. Kujtimet e ndeshjeve të mëparshme, tensioni në tribuna dhe jashtë fushës, e kthejnë këtë duel në një ngjarje me domethënie të thellë. Por këtë herë, fokusi është te futbolli.

Me kalendarin që rrëzon ditët njëra pas tjetrës, ora e përballjes mes Shqipërisë dhe Serbisë më 7 qershor në “Arena Kombëtare” po afron. Dy kombëtare, dy realitete shumë të ndryshme në prag të kësaj sfide të zjarrtë, jo vetëm për domethënien historike që mbart, por edhe për pozicionimin dhe ritmin me të cilin po i afrohen ndeshjes. Kombëtarja shqiptare ka nisur prej tri ditësh grumbullimin në Durrës, aty ku zakonisht Edi Reja dhe tani Silvinjo ndërtojnë themelet për ndeshje të mëdha.

Me një grup lojtarësh tashmë të mbërritur dhe duke pritur vetëm për bashkimin e disa emrave të tjerë që janë ende të impenjuar me klubet apo edhe atyre lojtarëve që janë larg, si: Asani, Uzuni dhe Mitaj, atmosfera në kampin kuqezi është serioze, e fokusuar dhe larg çdo zhurme. Seancat janë duke u zhvilluar normalisht dhe synimi është i qartë: përgatitje psikologjike dhe fizike për një sfidë ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.

Rivalët – Në kontrast të thellë me organizimin dhe ritmin kuqezi, Serbia ende nuk ka nisur zyrtarisht përgatitjet. Me grumbullimin e parashikuar për ditën e hënë, më 2 qershor, përfaqësuesja serbe është ende në “modë pushimi”. Lojtarët e saj të njohur janë të shpërndarë nëpër botë, duke shijuar ditët e fundit të relaksit përpara impenjimeve me fanelën e përfaqësueses. Një nga shembujt më të qartë është Lazar Samarxhiç, mesfushori i Atalantës, i cili aktualisht ndodhet në Dubai, duke shijuar pushimet me partneren e tij.

Pamje të postuara në rrjetet sociale tregojnë se ai, si shumë të tjerë nga kampi serb, është ende larg çdo angazhimi sportiv. Federata serbe ka publikuar më herët një listë të gjatë paraprake, por pikërisht sot është bërë publike lista zyrtare e lojtarëve që do të përfaqësojnë Serbinë në ndeshjet e ardhshme, përfshirë edhe sfidën ndaj Shqipërisë. Kjo vonesë në përgatitje mund të jetë pjesë e një strategjie më fleksibël, por gjithsesi i jep Kombëtares shqiptare një avantazh të rëndësishëm: kohë dhe përqendrim maksimal./Panorama Sport

serbia shqipëri kualifikueset e botërorit

Lini një Përgjigje