
Humbja historike me shifrat 9-2 përballë Bajerni të Mynihut në Ligën e Kampioneve, ka sjellë ndryshime radikale në radhët e klubit të Dinamos së Zagrebit. Drejtuesit nuk kanë përjetuar mirë turpërimin që pësuan dhe kanë vendosur shkarkimin e trajnerit Sergej Jakiroviç.
Ky i fundit kishte marrë drejtimin e skuadrës një vit më parë dhe kishte udhëhequr ekipin ku bën pjesë edhe Arbër Hoxha, drejt triumfit në kampionat dhe në Kupën e Kroacisë, në një moment kur të gjithë mendonin se klubi ishte në krizë. Ai ia doli që të siguronte dhe fazën në grupe të turneut më të madh europian për klube.
Por zgjedhjet e tij për ndeshjen me Bajernin dhe fakti që skuadra hyri në histori me një rekord negativ që do të jetë e vështirë të harrohet, sollën vendimin për shkarkimin Jakiroviç, i cili në drejtimin e Dinamos së Zagrebit arriti një ecuri rekord prej 21 ndeshjesh zyrtare radhazi pa humbje. Pikërisht Jakiroviç ishte ai i cili insistoi për afrimin e Hoxhës gjatë merkatos së janarit, ndërsa tani pritet të shihet si do të jetë hierarkia në skuadër e futbollistit të Kombëtares me trajnerin që pritet të emërohet së shpejti.
Lini një Përgjigje