TAGS-AT E JAVËS

Sport11 Mars 2025, 23:50

PSG eliminon Liverpulin nga “ruleta e penalltive”, heroi Donaruma kualifikon parisienët në çerekfinale

Shkruar nga Pamfleti

PSG eliminon Liverpulin nga “ruleta e penalltive”, heroi Donaruma

PSG ka shkaktuar një surprizë që pakkush e mendonte të mundur, teksa ka eliminuar Liverpulin në Ligën e Kampioneve. Skuadra e Slot, e cila e kishte mbyllur e para fazën e grupeve, ka dalë sot nga turneu e eliminuar falë penalltive.

Pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë në Francë të anglezëve, mendohej se këta të fundit do të fitonin edhe sfidën e kthimit në fushën e tyre, ndonëse parisienët i kishin dominuar. Por pas një starti të vrullshëm të vendasve, ishin miqtë që gjetën golin me Dembele duke hapur kualifikimin.

Më pas u zhvillua një ndeshje e hapur, me raste në të dy portat, ku Donaruma në një anë e Alison në tjetrën u bënë vendimtarë me ndërhyrjet e tyre. Kështu, deri në vërshëllimën përfundimtare nuk kishte gola të tjerë dhe as në dy kohët shtesë. Ndaj për të përcaktuar çerekfinalistin u deshën gjuajtjet e penalltive.

Parisienët shënuan saktësisht të 4 gjuajtjet e tyre, ndërsa te Liverpuli gabuan Nunjez dhe Xhouns, të ndalur nga Donaruma, i cili kaloi kësisoj skuadrën e tij në çerekfinalet e turneut.

Në çerekfinale, PSG-ja do të ndeshet me fituesin e çiftit Aston Vila-Klub Bryzh. Ndeshja e parë mes këtyre 2 ekipeve e luajtur në Belgjikë është mbyllur me fitoren e anglezëve me rezultatin 1-3.

psg liverpul champions league

Lini një Përgjigje