
Barcelona është skuadra e parë çerekfinaliste e Champions League. Katalanasit kanë mposhtur Benfikën me rezultatin 3-1 në “Camp Nou”.
Në minutën e 10, një aksion i bukur i ekipit të Hansi Flik, Lamin Jamal tregoi se nuk është nga ky “planet”, adoleshenti spanjoll asistoi shumë bukur për Rafinjën, braziliani nuk e pati aspak të vështirë të dërgonte topin në rrjetë.
Benfika nuk u dorëzua dhe barazoi shifrat shumë shpejtë. Otamendi u tregua i saktë me kokë, duke barazuar shifrat pas krosimit të ardhur nga goditja e këndit.
Barcelona kaloi sërish në avantazh me Lamin Jamal, pas super asistit që dha në golin e parë, tani djaloshi spanjoll shënoi vetë.
Pasi bëri një lëvizje të bukur nga këndi anësor, Jamal dërgoi topin në rrjetë në mënyrë spektakolare, duke ngritur në këmbë të gjithë tifozët e pranishëm në stadium, të cilët duartrokisnin klasin e treguar nga spanjolli.
Golin e tretë e realizoi Rafinja, i dyti për sonte për yllin brazilian. Por e gjithë merita për golin e tretë ishte e Alehandro Balde, i cili vrapoi me topin në këmbë për një distancë 70-80 metra dhe në fund asistoi për Rafinjën, që nuk e pati aspak të vështirë të dërgonte topin në rrjetë.
Në çerekfinale, Barcelona do të ndeshet me fituesin e çiftit Borusia Dortmund-Lilë. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave e zhvilluar në “Sigal Iduna Park” është mbyllur në barazim 1-1.
Lini një Përgjigje