
Përfundojnë dy ndeshjet çerekfinale në Champions League. Edhe pse është mundur nga Aston Vila me rezultatin 3-2, PSG ia ka dalë të kualifikohet në gjysmëfianale, pas fitores 1-3 në ndeshjen e parë.
Fillimisht, francezët zhbllokuan rezultatin duke gjetur golin në minutën e 10 më Ashraf Hakimin. Marokeni përfitoi nga një dalje e gabuar e Emiliano Martinez dhe dërgoi saktësisht topin në rrjetë.
Goli i dytë erdhi në minutën e 27 me një aksion të shpejtë të francezëve, Dembele asistoi bukur për Nunjo Mendez, i cili e finalizoi me gol me një goditje fantastike brenda zonës.
Në minutën e 35 erdhi reagimi i vendasve që ngushtuan shifrat në 2-1 me golin e Juri Tielemans, i ndihmuar edhe nga devijimi i mbrojtësit të PSG-së.
Ekipi i drejtuar nga Junaj Emeri e nisi në mënyrë të shkëlqyer pjesën e dytë duke shënuar dy gola të shpejtë për 2 minuta.
Fillimisht, në minutën e 55, Aston Vila barazoi shifrat me golin e bukur të Xhon Mek Gin, i cili shënoi me një goditje të fuqishme nga distanca.
Ndërsa dy minuta më pas, Aston Vila shënoi edhe golin e tretë, pas një depërtimi fantastik të Marcus Rashford dhe asistit perfekt për Ezri Konsa, ky i fundit dërgon topin në rrjetë.
PSG kualifikohet në gjysmëfinalen e Champions League, ku do të ndeshet me fituesin e çiftit Real Madrid-Arsenal. Ndeshja e parë mes këtyre dy ekipeve e luajtur në “Emirates” është mbyllur me fitoren e “Topçinjve” me rezultatin e pastër 3-0 dhe madrilenët do të kërkojnë përmbysjen e madhe në “Santiago Bernabeu”.
Në ndeshjen tjetër, edhe pse Dortmundi mposhti Barcelonën me rezultatin 3-1, nuk ia ka dalë të kualifikohet në gjysmëfinalen e Champions League, pasi në ndeshjen e parë verdhezinjtë ishin mundur me rezultatin e pastër 4-0.
Dortmundi e nisi shumë mirë takimin, duke gjetur golin e parë pas 10 minutash lojë, duke kaluar në avantazh me penalltinë e ekzektuar saktë nga Girasi, e cila u fitua pas një ndërhyrjeje të gabuar të Gavi ndaj Koutos.
Ishte sërish, Serhu Girasi, i cili shënoi me kokë në fillim të pjesës së dytë, pas krosimit nga goditja e këndit dhe pasimit me kokë të Bensabaini.
Katalanasit reaguan shpejt duke ngushtuar shifrat me autogolin e Bensabaini, i cili dërgoi në portën e tij topin e futur në zonë nga Fermin Lopez.
Në minutën e 76 ishte sërish Girasi që realizoi golin e tretë dhe kompletopi tripletën e tij personale për Dortmundin, por pa ia dalë të bëjë mrekullinë.
Barcelona kualifikohet në gjysmëfinale dhe do të ndeshet me fituesin e çiftit Inter-Bajern Mynih. Ndeshja e parë mes këtyre dy ekipeve e luajtur në “Allianz Stadium” është mbyllur me fitoren e zikaltërve me rezultatin 2-1.
Lini një Përgjigje