
Andre Vilas-Boash është zhdukur nga radarët. Trajneri më i ri që ka fituar një kompeticion evropian, falë Ligës së Evropës në krye të Portos në sezonin 2010-2011, ka tri vite jashtë fushave të blerta.
Eksperienca e tij e fundit ishte tek Olimpiku i Marsejës, në Francë, e cila përfundoi me dorëheqjen e tij në shkurt të vitit 2021. Megjithatë, para dhe gjatë kësaj aventure, trajnerit portugez iu desh të luftonte me probleme serioze shëndetësore.
Në vitin 2018, pas pjesëmarrjes në “Dakar Rally”, që përfundoi me dëmtim të shpinës, pikërisht falë këtij problemi u zbulua se Vilas-Boash kishte kancer. Trajneri portugez e trajtoi këtë temë në një intervistë për “Record”: “Mjekët duhej të më hiqnin gjysmën e tiroides dhe doli se po vdisja gjatë operacionit.
Pas 10 minutash fillova të ndihem i sëmurë, kujtoj se mendova: Po vdes, po vdes. Shtypa butonin e alarmit, erdhi infermierja dhe vetëm mbaj mend që e dëgjova duke bërtitur, duke marrë shtratin tim, duke vrapuar nëpër spital drejt urgjencës. Dyert u hapën me forcë, injeksioni dhe… Kur u zgjova isha në këmbët e mia.
Edhe pak minuta dhe do të kisha vdekur nga asfiksia. Gjithçka ishte shumë kurioze, sepse përmes analizave të tiroides më zbuluan një tumor tjetër në shpinë, të cilin gjithashtu duhej ta hiqja. Po të mos kishte ndodhur aksidenti, nuk do t’i kisha zbuluar kurrë këto sëmundje”.
Lini një Përgjigje