
Paolo Tramezani është rikthyer zyrtarisht në pankinë, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij në futbollin italian. Ish-ndihmësi i Xhani De Biazit gjatë aventurës historike të Shqipërisë në “EURO 2016” është emëruar trajner i ekipit të parë të femrave të Komos.
Ndryshe nga angazhimet e mëparshme, Tramezani nuk do të drejtojë një ekip meshkujsh, por do të jetë në krye të projektit të futbollit të femrave të klubit lombard, një sektor që Komo synon ta zhvillojë më tej në vitet në vijim.
Trajneri italian ka nisur menjëherë punën në stërvitje me skuadrën, duke theksuar se objektivi i tij është ndërtimi i një projekti konkurrues dhe afatgjatë. Tramezani ka shprehur gjithashtu dëshirën që ekipi i femrave të ndjekë shembullin e skuadrës së meshkujve të Komos, e drejtuar nga Çesk Fabregas, e cila po spikat në Serinë A.
Prezantimi zyrtar i Tramezanit është bërë nga drejtori sportiv i futbollit të femrave te Komo, shqiptari Miro Keci. Ky i fundit, i cili prej vitesh udhëheq projektin e femrave në klub, ka qenë ideatori i afrimit të trajnerit italian.
“E njoh që nga viti 2012, kur ishte zëvendës-trajner i Kombëtares së Shqipërisë. E di mënyrën se si punon dhe si komunikon me sportistët. Ka shumë eksperiencë dhe në këtë moment kemi nevojë për një figurë me këto karakteristika”, u shpreh Keci gjatë prezantimit.
Emërimi i Tramezanit shihet si një hap i rëndësishëm në konsolidimin e futbollit të femrave te Komo dhe në ambiciet e klubit për të ndërtuar një strukturë konkurruese edhe në këtë sektor.
Lini një Përgjigje