
Liverpuli është mundur me rezultatin minimal 1-0 në fushën e Burnemuthit në ndeshjen e vlefshme për javën e 27 të Premier Ligës. Një rezultat befasues pas fitores 7-0 të dielën e kaluar kundër Mançester Junajtid.
Protagonisti i ndeshjes ishte Mohamed Salah, i cili gaboi një penallti në pjesën e dytë të ndeshjes. Për herë të parë në karrierën e tij, egjiptiani nuk arriti ta dërgonte topin në kuadrat nga pika e bardhë.
Pjesa e parë e sfidës u mbyll me fitoren e vendasve, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 28.
Autori i golit ishte mesfushori Billing, i cili dërgoi me lehtësi topin në rrjetë, pasi u la i pambuluar nga mbrojtësit e Liverpulit.
Në minutën e 69, Liverpuli pati shansin e artë për të barazuar rezultatin. Arbitri akordoi një penallti për Të Kuqtë pas ndërhyrjes së VAR-it për një prekje të topit me dorë në zonë.
Te pika e bardhë u paraqit Mohamed Salah, i cili gaboi duke e goditur shumë keq topin që përfundoi shumë larg portës.
Lini një Përgjigje