
Lacio e Hysajt ka arritur të marrë një fitore mes vuajtjesh, duke mposhtur Kremonezen në “Olimpico” me rezultatin 3-2 në javën e parafundit të Serisë A.
Kryeqytetasit e trajnerit Sarri e nisën takimin në mënyrën më të mirë të mundshme duke kaluar të parët në avantazh. Elseid Hysaj prishi ekuilibrat e këtij takimi, duke shënuar golin e parë në këtë kampionat. Ky gol vjen fill pas ftesës që Silvinjo i bëri Hysajt për në Kombëtare, për dy sfidat e qershorit me Moldavinë dhe Ishujt Faroe.
Loja e mirë e Lacios u shpërblye sërish në pjesën e parë nga Sergej Milinkoviç-Saviç që dërgoi ekipin në dhomat e zhveshjes me avantazhin 2-0 në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Kremoneze tregoi krejtësisht një fytyrë tjetër përballë vendasve duke shënuar 2 gola. Fillimisht ishte Galdames që ngushtoi diferencat dhe më pas një autogol i Laxarit i dha barazimin miqve për vetëm 4 minuta.
Përgjigja e fundit e vendasve erdhi në fundin e takimit. Ishte sërish serbi Milinkoviç-Saviç që arriti të shënonte për Lacion dhe kësaj radhe i dha triumfin skuadrës së tij.
Me këtë fitore, Lacio ngjitet në vendin e dytë të klasifikimit të Serisë A me 71 pikë të grumbulluara, dy më shumë se Interi i një vendi më poshtë. Nga ana tjetër, Kremoneze mbetet në vendin e parafundit të kampionatit italian, duke prerë prej dy javësh biletën për në Serinë B.
Lini një Përgjigje