
Në kuadër të ndeshjes kualifikuese në Grupin E për “EURO 2024”, Shqipëri-Ishujt Faroe, para mediave ka dalë mesfushori i Kombëtares Keidi Bare. Shqipëria e ka arritur qëllimin madhor, kualifikimin për në Europianin e Gjermanisë, por kjo nuk do të thotë se nesër luhet pa interes. Madje fitorja do të vlente për të blinduar vendin e parë në grup, si dhe për të shtuar kreditet në renditjen e UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe për të plotësuar më së miri festën kuqezi.
-Si mendon se mund ta rifitosh vendin e titullarit?
“Është një arritje shumë e madhe. Një ëndërr e bërë realitet. Por nuk duhet të ndalemi vetëm këtu sepse janë dhe gjëra të tjera. Kur kam folur me trajnerin në Barcelonë na ka motivuar shumë dhe na dha besim si ekip. Çdo gjë ka ndryshuar për mirë. Nga Federata…Sepse tani kemi një fushë shumë të mirë ku mund të bëjmë stërvitje, kemi një palestër tonën. Këto kushte janë shumë mirë për ne. Dëmtimet i kam kaluar. Më kanë lënë pak mbrapa, por do të vazhdoj të punoj fort për të arritur atje ku kam qenë dhe mbi të gjitha për të ndihmuar ekipin.”
-Është hera e dytë për Kombëtaren në Europian, a e besoni vërtete çfarë keni bërë?
“Unë e kam ëndërruar shumë që kur kam qenë i vogël. Jo vetëm unë por të gjithë. Për ne është diçka unike. Ja kemi dalë me punë, por dhe me mbështetjen e tifozëve. Edhe kur kemi luajtur jashtë na kanë mbështetur, për ne janë lojtari i 12-të.
-Ju na keni bërë të besojmë se mund të bëjmë diçka më shumë se vetëm pjesëmarrja në Europian?
“Ky është vetëm fillimi. E kemi kaluar fazën e kualifikimit dhe duhet të mendojmë për më lart. Të hënën na pret një ndeshje tjetër dhe duam të qendrojmë në krye të grupit.
-Cili është ndryshimi mes Sylvinhon dhe Edi Rejas?
“Nuk mund të them që është një ndryshim, por mbi të gjitha tashmë kemi një grup shumë të mirë. Na ka ndihmuar të bëjmë një ekip solid si brenda dhe jashtë fushës. Tashmë jemi një. Trajneri na ka futur frymën që të jemi një grup.”
-Tashmë vjen pjesa tjetër, pasi dikush në fund nuk do të grumbullohet…
“Është diçka e vështirë, pasi të gjithë lojtarët që trajneri ka grumbulluar janë më kualitet dhe shumë të mirë. Kjo pjesë i takon trajnerit dhe jo mua.”
-A keni pasur kohë për festë apo keni menduar për Ishujt Faroe që të mbani vendin e parë? Doni një ekip që dëshironi të përballeni në Europian?
“Festa jonë ishte ajo në Moldavi me tifozët tanë. Do mendojmë për Ishujt Faroe pasi janë një ekip shtatlartë dhe që mbrohen mirë. Qëllimi ynë është që të mbyllim këto kualifikuese sa më mirë. Nuk kam kundërshtar të preferuar. Nuk ka shumë rëndësi cili ekip do na bjerë.”
Lini një Përgjigje