
Klubet e Arabisë Saudite po paguajnë shifra të çmendura për futbollistë të rëndësishëm, por ajo që ka përgatitur Al Hilal për Kilian Mbape padyshim që i kalon të gjitha. Sulmuesi francez është “divorcuar në shtëpi” me PSG-në dhe klubi saudit mendon se ka zgjidhjen ideale për të lumturuar të gjithë palët.
Mbape mendohet se ka një akord me Realin e Madridit për verën e vitit 2024 dhe kjo bën që ai të mos rinovojë kontratën me PSG-në që e ka “ngrirë” në pritje të shitjes së tij, teksa nuk e ka marrë me vete në turneun në Japoni. Lojtari këmbëngul që të largohet si lojtar i lirë në verën e vitit 2024, ndërsa PSG dëshiron që ta shesë që tani, për të mos e humbur me parametër zero.
Në këtë situatë, Al Hilal ka propozuar zgjidhje të bujshme. Klubi saudit raportohet se është gati t’i paguajë Mbape 400 milionë euro me një kontratë 2-vjeçare, pra 200 milionë euro në vit dhe me një klauzolë që ai mund të largohet si lojtar i lirë në verën e ardhshme drejt Realit të Madridit.
Për të kënaqur PSG-në, është gati një çek prej 200 milionë eurosh, që do të pranohej fluturimthi nga parisienët, në kërkim të parave për të rregulluar bilancet financiare siç ua kërkon UEFA. Mbape ka kohë deri në fund të muajit për t’u përgjigjur, pasi në atë moment do të hynin në fuqi klauzola të kontratës që kanë lidhje me pagesa bonusesh dhe parisienët apo vetë futbollisti, nuk do të jenë më në gjendje të bëjnë lëvizje të tjera.
Lini një Përgjigje