
Erling Haland është bërë brenda pak muajsh rekordmeni më i madh në historinë e Premier Ligës. Sulmuesi mbërriti te Mançester Sitit verën e kaluar dhe në 47 ndeshje me fanelën e “Qytetarëve” ai tashmë ka 51 gola. Shifrat janë të arritshme për disa të zgjedhur. Nënshkrimi i tij për skuadrën e Pep Guardiolës u bë menjëherë një nga “bombat” e mëdha në treg.
Pasi kishte pluhurosur të gjitha rekordet e mundshme te Dortmundi, ku shënoi praktikisht një gol për ndeshje, Haland mbërriti në Mançester me grupin yjor. Fakti është se, siç zbulon Ole Gunar Solskjaer, norvegjezi mundi të kishte mbërritur në qytetin anglez disa vite më parë.
Trajneri norvegjez drejtonte Molden në vitin 2018 dhe Haland ishte pjesë e skuadrës së tij. Atë sezon, Solskjaer me Molden eliminonin Laçin nga Liga e Europës duke fituar 0-2 në Laç dhe 3-0 në ndeshjen e kthimit. Në fitoren 3-0, një nga golat e Moldes u shënua pikërisht nga Haland.
Solskjaer tregon për “The Sun” një prapaskenë që mund ta dërgonte Haland te Junajtid për vetëm 4 milionë paund, por “djajtë e kuq” e kishin refuzuar. “I kërkova Mançester Junajtidit 4 milionë paund për Haland, por nuk firmosën me të”. Këtë ‘ofertë’, Solskjaer ia bënte Junajtidit rreth 6 muaj para se të firmoste si trajner i tyre.
Lini një Përgjigje