
Kthimi i Xherdan Shaqirit te Bazeli bëri bujë. Por, në vitet e ardhshme te klubi zviceran mund të kthehet edhe mesfushori i Bajer Leverkusenit, Granit Xhaka.
Mundësinë e kthimit të kapitenit të Zvicrës te Bazeli e ka përmendur vëllai i tij i madh, Taulanti, të premten, në një intervistë për “Blick”.
Në intervistë lojtari aktual i Bazelit ka folur për shumë tema.
Fillimisht Taulant Xhaka është pyetur nëse është kapiten i Bazelit.
“Nëse luaj nga fillimi jam unë. Nëse nuk luaj, është Dominik Shmid. Xherdan Shaqiri është po ashtu pjesë e ekipit të kapitenëve”, ka thënë ish-futbollisti i kombëtares shqiptare.
Javën e kaluar Shaqiri mbajti shiritin e kapitenit edhe kur Taulant Xhaka hyri në fushë.
“Natyrisht, unë u aktivizova vonë. Nuk do të shkoj te Shaqiri dhe ta pyes për shiritin e kapitenit. Ne të gjithë i dimë rolet që kemi në ekip dhe nuk është shumë e rëndësishme kush e mban shiritin”.
33-vjeçari nuk po luan shumë për Bazelin. Por mesfushori ka theksuar se është gati kur trajneri i kërkon të aktivizohet. Ai dëshiron të ndihmojë lojtarët më të rinj dhe të shijojë kohën që i ka mbetur te Bazeli. Taulanti po ashtu dëshiron të luajë, por thotë se nuk ka arsye për brengosje për minutat në fushë dhe për të sjellë negativitet në dhomat e zhveshjes.
Xhaka thotë se nuk ka pranuar ndonjë sinjal nga drejtuesit e Bazelit se është i tepërt në skuadër. Përkundrazi, ndjen që klubi e çmon.
Dëshira e Taulant Xhakës është që të fitojë një tjetër titull me Bazelin para se të largohet. Thotë se për Bazelin është shumë e rëndësishme të kthehet në rrugën e trofeve. Ai po i afrohet ndeshjes së 400-të me Bazelin.
“Është një ëndërr që po bëhet realitet për të luajtur këtë shifër të ndeshjeve për klubin tim. Natyrisht jam shumë krenar për këtë”.
Nga 399 ndeshje, Taulanti ka veçuar dy ndaj Liverpulit në Ligën e Kampionëve në vitin 2014 dhe një fitore ndaj Fiorentinës, kur tifozët përgatitën koreografi të veçantë.
Thotë se qyteti i Bazelit do të thotë çdo gjë për të. Tregon se i mungon qyteti kur është në pushim për më shumë se dy javë. Ai po ndërton shtëpi me pamje nga stadiumi i Bazelit.
Lidhur me transferimin e Shaqirit te Bazeli, Taulanti thotë se nuk ka ditur asgjë përveç asaj që është raportuar në media. Madje në fillim nuk besonte se lëvizja do të realizohej.
“Kur është konfirmuar lëvizja, kam menduar: shkëlqyeshëm. Ne e njohim njëri-tjetrin që kur ishim djem të vegjël tek ekipi i të rinjve. Kemi raporte shumë të mira”, ka treguar Taulant Xhaka. “Ai është nga Bazeli dhe nuk i është dashur kohë për përshtatje. Ai e njeh klubin, stadiumin, vetëm bashkëlojtarët janë të rinj”.
Sipas Taulantit, Shaqiri është në formë shumë të mirë dhe i gatshëm.
Pasi ka folur për Shaqirin, Taulant Xhaka është pyetur për mundësinë e kthimit të Granitit.
Granit Xhaka është në kulm të karrierës. Ka fituar titullin e kampionit të Gjermanisë me Bajer Leverkusenin dhe tani po paraqitet në Ligën e Kampionëve. Ai ka edhe shumë vite kontratë me Leverkusenin. Por e ardhmja e Granitit mund të jetë te Bazeli.
“Mund të funksionojë. Është një plan. Por nuk do të tregojë më shumë”, ka thënë Taulant Xhaka duke qeshur.
Taulant e Granit Xhaka kanë luajtur së bashku në fillim të karrierës. Më pas rrugët e tyre u ndanë. Karriera e Granitit është dukshëm më e suksesshme.
Por vëllezërit Xhaka mund të bashkohen edhe pas karrierës si futbollistë.
“Unë, si vëllai im, dua të shkollohem për trajner. Ideja do të ishte që Graniti të jetë kryetrajner dhe unë të jem asistent i tij. E shoh më shumë veten në këtë rol, në komunikim me lojtarët”.
Lini një Përgjigje