TAGS-AT E JAVËS

Sport21 Gusht 2025, 22:07

Drita me “një këmbë” në grupet e Ligës së Konferencës, përmbysje mbresëlënëse e Shkëndijës së Tetovës

Shkruar nga Pamfleti

Drita me “një këmbë” në grupet e Ligës

Drita ka bërë një hap drejt fazës në grupe të Ligës së Konferencës duke siguruar një fitore në shtëpi përballë Diferdanzhit. Ashtu si në sfidën e Ligës së Kampioneve mes dy ekipeve, diferenca ka qenë minimale dhe kampionëve të Kosovës do u duhet që të administrojnë mirë situatat në ndeshjen e kthimit.

Në ndeshjen e Ligës së Kampioneve mes dy ekipeve, Drita fitoi 1-0 në shtëpi, ndërsa sot, skuadra e drejtuar nga Zekerija Ramadani triumfoi 2-1. Goli i Dabiqajt në pjesën e parë dhe penalltia e Krasniqit në të dytën, bënë të pavlefshëm barazimin e përkohshëm të Buh për skuadrën mike.

Kështu, Drita do të shkojë në Luksemburg me një avantazh minimal, duke shpresuar që ashtu siç bëri në Ligën e Kampioneve, të kalojë përsëri kundërshtarin që ka përballë dhe të sigurojë grupet e Ligës së Konferencës.

Shkëndija e Tetovës ka korrur një fitore historike përballë Ludogoretsit. Kuqezinjtë e drejtuar nga Jeton Beqiri fituan me përmbysje në sfidën e parë, të vlefshme për fazën “play-off” të Ligës së Europës.

Goli i parë u shënua nga miqtë. Shkëndija nuk u dorëzua dhe pse kampionët e Bullgarisë ishin në avantazh.

Ishte supergoli i Latifit ai që vendosi baraspeshën në pjesën e parë. Për përmbysjen e madhe në pjesën e dytë mendoi Ibraimi, kapiteni golashënues që nuk njeh moshë.

Rezultat i kënaqshëm, që e lë presionin te miqtë. Kualifikimi për në grupet e Ligës së Europës do të vendoset në Bullgari. Skuadra që do skualifikohet do të luajë në Ligën e Konferencës.

drita diferdanzh shkëndija e tetovës ludogorets

Lini një Përgjigje