
Derbi i Italisë mes Juventusit dhe Interit, i 253 në histori, është mbyllur 4-3 për bardhezinjtë, duke dhuruar emocione nga fillimi i ndeshjes e deri në sekondën e fundit.
Sfida u zhbllokua në minutën e 13, ku Loid Kelli shënoi golin e parë me fanelën e Juventusit dhe e bëri pikërisht në derbi. Anglezi shënoi pas një aksioni të gjatë të bardhezinjve dhe asistit të Bremer.
Barazimi i zikaltërve erdhi në minutën e 30 me Hakan Çalhanoglu, i cili shënoi një supergol me një goditje fantastike nga kufijtë e zonës së rreptësisë.
Në minutën e 38, shënoi ylli tjetër turk, këtë herë për Juventusin, Kenan Jildiz, i cili po ashtu realizoi një gol spektakolar me një goditje fantastike nga distanca, e cila përfundoi në rrjetën e Somer. Pjesa e parë u mbyll 2-1 për bardhezinjtë.
Goli i barazimit për zikaltrit erdhi në minutën e 64 sërish nga Hakan Çalhanoglu, i cili ashtu si edhe në golin e parë, edhe këtë herë, shënoi një gol super të bukur, pas asistit të marrë nga Pioter Zielinski, i sapo futur në fushë.
Pas golit të barazimit, Tudor bëri tre zëvendësime direkt, ku u fut edhe Lois Openda, por zikaltrit ishin më të mirë në fushë, ndaj dhe gjetën dhe golin e tretë. Dimarko krosoi nga goditja e këndit, Markus Turam shënoi me kokë, duke kaluar zikaltrit për herë të parë në avantazh.
Bardhezinjtë nuk u dorëzuan dhe barazuan shifrat në minutën e 82 me Kefren Turam. Francezi shënoi me kokë njësoj si vëllai i tij, pas krosimit perfekt të Kenan Jildiz nga goditja e dënimit.
Të zotët e shtëpisë nuk ishin dakord me barazimin dhe kërkuan golin e fitores, të cilin e gjetën në minutën e 92, ku Vasilije Axhiç, i ardhur nga ekipi i të rinjve të Juventusit, shënoi golin e fitores së madhe me një super goditje nga distanca.
Lini një Përgjigje