
Jo të gjithë legjionarët kuqezi po kalojnë një moment të mirë. Ylli i ekipit përfaqësues, Armando Broja nuk po gjen qetësi, me sulmuesin që jo vetëm është nxjerrë në shitje, por ekipi i Çelsit po bën gjithçka për të përshpejtuar largimin e tij, teksa së fundmi trajneri Enzo Mareska as që e grumbulloi për sfidën e parë të Premier Ligës, atë kundër Mançester Sitit, por e la jashtë ekipit së bashku me Kallager dhe Lukaku.
Sigurisht, Broja nuk do ta ketë të vështirë të gjejë një skuadër të re, pasi admiruesit për të nuk mungojnë, por çdo gjë është në dorë të Çelsit, me “Blutë e Londrës” që duhet të ulin pretendimet për sulmuesin kuqezi. Së fundmi në skenë ka dalë edhe Sauthemptoni, me “shenjtorët” që kërkojnë të përsërisin historinë e suksesshme të huazimit me Brojën dy sezone me parë.
Në të njëjtën situatë me Brojën është edhe Elseid Hysaj. Anësori kuqezi nuk bën pjesë në planet e Lacios me drejtuesit e klubit kryeqytetas që po bëjnë gjithçka që Hysaj të largohet deri në fund të muajit gusht. Ndryshe nga Broja, Hysaj ishte i përfshirë në skuadër për ndeshjen e parë të Serisë A kundër Venecias, pavarësisht se nuk u aktivizua për asnjë minutë.
Sipas “Corriere dello Sport”, një ndërmjet Hysajt dhe Pedros do të largohet me çdo kusht. Problem është fakti që për Hysaj, për momentin nuk ka oferta konkrete, kjo edhe për shkak të pagës së tij ku përfiton 2,8 milionë euro në sezon.
Lini një Përgjigje