Një pastiçeri në Danimarkë ka gjetur një mënyrë origjinale dhe plot humor për t’iu përgjigjur deklaratave të ish-presidentit amerikan Donald Trump mbi Groenlandën, duke e kthyer atë… në një ëmbëlsirë.
Pastiçeria “Kjer’s Brød” në Kopenhagen ka nxjerrë në shitje një version satirik të ëmbëlsirës tradicionale daneze “kvaje kage”, e njohur ndryshe si “torta e budallait”. Ndryshe nga forma klasike e bretkosës, këtë herë torta mban fytyrën e Donald Trump, një detaj që ka tërhequr menjëherë vëmendjen e klientëve dhe mediave.
Çmimi i secilës ëmbëlsirë është rreth 3.30 dollarë, ndërsa kërkesa për të ka tejkaluar pritshmëritë e pastiçerisë.
Bashkëpronari i biznesit, Peter Kjer, u shpreh se ideja ishte thjesht një reagim humoristik ndaj komenteve të Trump për Groenlandën:
“Ëmbëlsira Trump shkoi më larg nga sa e kishim menduar. Reagimi ka qenë shumë pozitiv. Për fat të mirë, edhe pala tjetër e ka marrë me sportivitet. Ëmbëlsira u krijua vetëm si një reagim ndaj fjalëve të Trump për Groenlandën”.
Kjo nismë është parë si një shembull i mënyrës se si satira dhe humori përdoren në Danimarkë për të komentuar çështje politike, pa tension, por me kreativitet.

Lini një Përgjigje