Pas daljes nga shtëpia e “Big Brother VIP Kosova 4”, Shkurta Haxhiu ka reaguar në rrjetet sociale, duke shprehur pakënaqësinë e saj për mënyrën se si janë trajtuar disa situata gjatë emisionit, veçanërisht ato që lidhen me përplasjet dhe akuzat për dhunë.
Në një postim në Instagram, Shkurta ka akuzuar drejtpërdrejt opinionistet Leonora Jakupi dhe Olta Gixhari, duke theksuar se ato nuk kanë bërë një analizë të plotë dhe të drejtë të rrethanave. “Dy nominime brenda një nate u bënë për mua. Unë, si Shkurta Haxhiu, i shpëtova eliminimit nga publiku, sepse më votuan dhe më mbështetën. Por nuk i shpëtova ‘zarf-it të zi’ nga produksioni. Dhunuesen e mbajtën brenda, ndërsa një njeri që nuk ka lënduar asnjëherë askënd, e nxorën jashtë. Kjo ishte një padrejtësi e madhe për mua,” shkruan ajo.
Shkurta kritikon gjithashtu standardin e dyfishtë të gjykimit, duke theksuar se sikur ajo të kishte qenë në rolin e opinionistes, reagimet dhe komentet do të kishin qenë krejtësisht të ndryshme. Ajo e cilëson sjelljen e saj si të keqkuptuar dhe thekson se opinioni publik ka marrë një drejtim tjetër për shkak të interpretimit të opinionisteve.
Reagimi i Shkurtës ka hapur një diskutim të ri mbi mënyrën se si trajtohen situatat kontroverse dhe akuzat brenda emisioneve të këtij formati, duke nxitur debate mbi rolin e opinionistëve dhe drejtësinë e vendimeve të produksionit.

Lini një Përgjigje