
Avokati i Leka Zogut, Aranit Roshi deklaroi se veprimi i princit për të filmuar dhe denoncuar dhunën është spontan dhe se është tregues i një “formimi qytetar” për të denoncuar një rast të tillë, pavarësisht pozitës së tij.
I ftuar në emisionin “Real Story”, avokati shtoi se ky ishte veprimi i duhur, pasi sipas tij rastet e dhunës duhen denoncuar pavarësisht personazheve që fshihen pas.
“Ngjarja ka pasur rëndësinë e vet jo vetëm për faktin se është bërë mediatike por se në qendër të ngjarjes, të rrethanave është një qytetar, që s’dua ta shikoj nga titulli apo pozicioni. Një qytetar shqiptar që dhunohet dhe që merr guximin dhe kurajon të denoncojë dhunën ndaj tij. Ky akt ka krijuar një përballje të madhe që mendoj se ka vlera për t’u diskutuar, nëse ka bërë mirë që e ka denoncuar rastin në prokurori. A duhet që sjelljet tona të udhëhiqen nga mentaliteti i turpit, është turp të shfaqesh përpara publikut si një person i dhunuar, apo akt kurajoje që ngrihesh mbi paragjykimet që bien mbi ty dhe denoncon dhunën. Mendoj se kjo rrethanë e ka bërë çështjen të rëndësishme për t’u trajtuar. Pastaj emrat se kush janë personazhet kanë rëndësi deri diku sepse përfaqësojnë diçka në jetën publike", tha ai.
Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për dhunë në familje pas kallëzimit të Princ Lekës. Sherri u bë publik të mërkurën, ndërsa në rrjete sociale qarkulluan videot ku shfaqej dhuna. Princ Leka bëri një denoncim në polici, ku pretendonte se ishte dhunuar nga ish-vjehrri, konflikt që u përfshi dhe Elia Zaharia.
Lini një Përgjigje