Reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, ka njoftuar kandidimin e tij për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, duke shënuar një angazhim të ri në jetën politike të vendit.
Lajmin e bëri publik vetë artisti përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku e cilësoi këtë hap si një përgjegjësi ndaj të rinjve dhe një përpjekje për të përfaqësuar një brez që, sipas tij, shpesh është ndjerë i papërfaqësuar në proceset vendimmarrëse.
Stresi theksoi se kandidimi i tij nuk duhet parë thjesht si një angazhim politik, por si një mundësi për të sjellë më pranë institucioneve shqetësimet dhe aspiratat e të rinjve shqiptarë.
“Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar”, shkroi ai.
Në mesazhin e tij, reperi u ndal te përvoja personale dhe sfidat që, sipas tij, përballen të rinjtë në Shqipëri, duke theksuar nevojën për përfaqësim më të madh të tyre në politikë.
“Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar.
Kandidimi im për Këshillin Kombëtar të PD-së nuk është thjesht politikë është përgjegjësi, përfaqësim dhe besim tek rinia shqiptare.
Kam ardhur nga rruga, nga jeta reale, nga sfidat që çdo i ri i njeh mirë. Prandaj dua që zëri ynë të dëgjohet aty ku merren vendimet.
Nuk ka më kohë për heshtje, për largime apo për dorëzim. Ka ardhur koha që rinia të ngrihet, të flasë dhe të marrë vendin që meriton.
Ftoj çdo të ri që beson te ndryshimi, te energjia e re dhe te Shqipëria që mund të bëhet më mirë, të bashkohet me mua në këtë rrugëtim.
Sepse e ardhmja nuk pret. Dhe ajo ndërtohet nga ne”, tha Stresi.
Lini një Përgjigje