
Grupi Threex, i përbërë nga motrat Erta, Laura dhe Dea, nuk arriti të kualifikohej në finalen e “Festivalit të Këngës 64” me këngën “Vite”, pas vendimit të jurisë. Vendimi u prit pa zhurmë në skenë, por me një reagim të mirëmenduar në rrjete sociale.
Motrat e cilësuan pjesëmarrjen në festival si një eksperiencë sfiduese dhe të re, duke lënë të kuptohet se rrugëtimi kishte më shumë rëndësi sesa destinacioni – sidomos kur destinacioni rezulton të jetë “jashtë finales”.
Në vijim të reagimit, Threex falënderoi publikun për mesazhet dhe reagimet pozitive ndaj këngës “Vite”, duke theksuar pritjen që mori kënga gjatë netëve të festivalit. Një detaj që, në kontekstin e vendimit të jurisë, shërben më shumë si kontrast sesa si ngushëllim, duke rikujtuar ndarjen klasike mes shijes së publikut dhe filtrit zyrtar të festivalit.
Megjithatë, pak më vonë, në rrjete sociale u shfaq një detaj që nuk kaloi pa u vënë re. Threex ndau një postim nga një faqe tjetër, ku kritikohej juria e festivalit për vendimet e saj. Një veprim i kujdesshëm, i tërthortë dhe tipik për kohën e “reagimeve pa autorësi”, ku mesazhi thuhet pa u thënë dhe pakënaqësia shprehet pa firmë.
Kështu, Threex largohet nga “Festivali i Këngës 64” jo me një vend në finale, por me një reagim të matur publikisht dhe një thumb të shpërndarë virtualisht. Ndërsa gara vazhdon për të tjerët, historia e këtij moskualifikimi i shtohet listës së gjatë të vendimeve të jurisë që çdo vit nxisin debat, interpretime dhe, herë pas here, ndonjë “share” domethënës në Instagram.
Ato PAK kan reaguar. Festivalit ti vije TURP per nje veprim kaq te shpifur.
Kjo qe ju be ketyre vajzave ska ndodhur ndonjher kaq shemtuar ne historin e festivali, kur konkurenti qe pretendojet per top 3 te mos shkoj be finale, ku dhe cdo detaj i kenges ishte i kopsitur mjaft mire. Per kete fenomen duhet te reagoj juria, qe jam mjaft i bindur edhe pse ndoshta per disa threex nuk ishin fitueset absolute, finalen e meritonin me shume se disa te tjere!!
Un kam qen ne sken dhe ne rreshti i fundit dhe disa ne rreshtat e pare kan brohoritur emrin e threex ne momentin e u skualifikuan! Zhurme kishte edhe ne salle!