Festa e fundvitit në një kompani në Kinë ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për mënyrën e veçantë të shpërndarjes së bonuseve. Kompania Henan Kuangshan Crane Co. Ltd vendosi plot 26 milionë dollarë në para të thata mbi 800 tavolina banketi, duke u dhënë mundësi punonjësve të merrnin me vete aq sa mund të mbanin.
Eventi u zhvillua më 13 shkurt dhe mblodhi rreth 7,000 pjesëmarrës. Nën dritat shumëngjyrëshe të sallës së festës, punonjësit, të veshur me costume, u panë duke fotografuar dhe duke mbledhur kartëmonedhat e vendosura në tavolina. Sipas raportimit të Chosun Daily, një prej punonjësve arriti të marrë në shtëpi rreth 13,000 dollarë.
Gjatë festës, drejtuesi i kompanisë, Cui Peijun, shpjegoi arsyen pas kësaj metode të pazakontë:
“Disa njerëz pyesin pse nuk i transferojmë paratë thjesht në llogaritë e tyre, por në këtë mënyrë janë thjesht shifra të ftohta,” – citohet të ketë thënë ai, duke theksuar se përvoja fizike e marrjes së parave krijon emocion dhe motivim më të madh.
Ai shtoi gjithashtu se në vitet e kaluara kompania kishte shpërndarë bizhuteri ari si shpërblime, por këtë herë vendosi të jepte para në dorë, duke shtuar edhe 20,000 juanë (rreth 2,800 dollarë) për secilin.
Kompania, e themeluar në vitin 2002, operon në prodhimin dhe dhënien me qira të vinçave dhe bashkëpunon me mbi 130 kompani. Në vitin 2024 ajo regjistroi një fitim neto prej 38 milionë dollarësh, nga të cilat rreth 24 milionë iu shpërndanë punonjësve si bonuse.
Po ashtu, për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, vitin e kaluar, kompania ndau rreth 230,000 dollarë shpërblime për afro 2,000 punonjëse.
Cui Peijun, i cili zotëron 98.88% të aksioneve të kompanisë, ka deklaruar më herët se motivimi i tij lidhet me mbështetjen e punonjësve përballë kostove të jetesës.
“Nuk është se më pëlqen të jap para, por të rinjtë janë të ngarkuar me kredi makinash dhe hipoteka, dhe çdo lehtësim që mund të ofrojmë ndihmon,” është shprehur ai.
Rasti i Henan Kuangshan Crane Co. Ltd është kthyer në një shembull të rrallë të shpërndarjes së drejtpërdrejtë të fitimeve, duke nxitur diskutime të gjera mbi kulturën e shpërblimit të punonjësve dhe motivimin në vendin e punës.
Lini një Përgjigje