
Zgjerohet edhe më shumë skandali i ngacmimeve seksuale, ku së fundmi është përfshirë “në listë” edhe një tjetër hollivudian. Të paktën 16 gra kanë akuzuar magjistarin David Copperfield për ngacmim seksual, sipas një hetimi të ‘The Guardian’.
Më shumë se gjysma e tyre kur u ngacmuan nga magjistari i njohur, ishin vetëm 15 vjeç, megjithëse ka mundësi që ai të mos e dinte moshën e tyre, thuhet në botim. Tri nga gratë ankohen se 67-vjeçari Copperfield i drogoi para se të kryente marrëdhënie seksuale me to, kështu që nuk mund të jepnin pëlqimin e tyre. Nga ana tjetër, avokatët e Copperfield përgjigjen se akuzat ndaj tij “jo vetëm janë krejtësisht të rreme, por edhe krejtësisht të pamundura”.
Incidentet kanë ndodhur nga vitet 1980 deri në vitin 2014. Gratë e kishin takuar atë përmes punës së tyre, kur Copperfield ishte një nga argëtuesit më të njohur në botë. Sipas hetimit, Copperfield premtoi se do t'i ndihmonte gratë në karrierën e tyre të modelimit ose aktrimit dhe u përpoq të mbante lidhje me to, siç bëri me prindërit e tyre.
Një nga 16 femrat, Brittney Lewis, foli gjithashtu publikisht në vitin 2018 se si ai e kishte droguar dhe sulmuar seksualisht në vitin 1988, kur ajo ishte një modele 17-vjeçare. Një tjetër nga gratë që foli për Guardian tha se pas një pije në vitin 1993, ai e drogoi atë dhe një shoqe të saj dhe bëri seks me to pa pëlqimin e tyre. Katër gra pretendojnë se Copperfield i përqafoi ose i detyroi ta preknin seksualisht gjatë shfaqjeve të tij në skenë. Në vitin 2007, Copperfield është akuzuar për dhunë seksuale ndaj ish-mbretëreshës së bukurisë, Lacey Caroll, por çështja u pushua dhe gruaja nuk e vijoi më betejën ligjore. Në të vërtetë, Caroll, është akuzuar për prostitucion dhe se kishte akuzuar në mënyrë të padrejtë një person për dhunë seksuale.
Lini një Përgjigje