
Pasi ka shpërthyer skenat e vendit e ato të diasporës, i ka vënë flakën dasmave e clubeve të natës, ka shkruar e kënduar këngë nga shpirti, ka fituar çmime e i ka bërë të gjithë të dashurohen me artin e saj, Aurela Gaçe ka vendosur ta sfidojë veten në një fushë tjetër.
Këngëtaren do ta shohim së shpejti edhe si aktore në rol protagonist!
“Luli & Goni Lemes” titullohet filmi komedi, i cili është me skenar të Klaudia Brahimajt dhe regji të Bjordi Mezinit.
Duhet thënë se Aurela Gaçe nuk është fare e panjohur me gjininë e aktrimit, pasi shumë vite më parë ka bërë skeçe të vogla me Agron Llakajn dhe e ka gjetur veten shumë mirë ‘nën petkun’ e aktores.
Në një intervistë për "Canape" në T7, pak kohë më parë, Aurela ndau disa nga planet e saj të ardhshme, përfshirë debutimin e saj si aktore komedie. “Do të luaj në një film komedi, sepse mbase njerëzit nuk e dinë, por unë kam mbaruar shkollën për aktore,” -u shpreh ajo, duke shtuar se përkushtimi ndaj kinematografisë e ka penguar në të kaluarën, por tani është gati për të sfiduar veten edhe në këtë fushë.
Gjithashtu, Aurela paralajmëroi një show televiziv që do të drejtohet prej saj, duke e përshkruar si një spektakël të mbushur me muzikë, argëtim dhe humor.
Lini një Përgjigje