
Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të tetën herë radhazi të konstituohet, pavarësisht përpjekjes së fundit këtë të martë. Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare, duke marrë vetëm 54 vota për, një rënie nga 57 votat e marra në seancat e mëparshme.
Seanca konstituive, e cila filloi më 15 prill pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të mungesës së marrëveshjes mes partive politike. Partitë opozitare, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e konsiderojnë Haxhiun një figurë përçarëse dhe refuzojnë të mbështesin kandidaturën e saj.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se Kuvendi do të mblidhet sërish të enjten në orën 10:00 për të tentuar përsëri konstituimin e legjislaturës së nëntë. Ngërçi i vazhdueshëm ka ngritur shqetësime për aftësinë e partive politike për të formuar institucionet e reja, duke lënë procesin e formimit të qeverisë në pritje.
Nga partitë që në legjislaturën e shkuar ishin në opozitë, në vazhdimësi është bërë thirrje për ndërrim të emrit të propozuar. Teksa Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se emri i Haxhiut nuk është unifikues, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se do ta votonin kryeparlamentarin nëse do të propozoheshin Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimin. Lidhja Demokratike ka thënë se nuk do ta votojë asnjë kandidat të VV-së. E në partinë fituese kanë përsëritur në vazhdimësi se nuk mund të marrin propozime për emra nga partitë tjera.
Lini një Përgjigje