Vendi ynë ka marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit dhe ambasadori Ferit Hoxha ja ka bërë të qartë Beogradit se nuk ka shanse të mbahet një mbledhje e tillë...
Ka dështuar me sukses plani i Serbisë për të zhvilluar një seancë të posaçme në OKB kundër Kosovës. Muaj më parë Aleksandër Vuçiç kërcënoi se do të thërrasë Këshillin e Sigurimit, me shpresën se bota do të dilte kundër Kosovës, por plani i tij ka përfunduar në kalendat greke.
Askush deri më tani nuk e ka përfillur kërkesën e Serbisë, ndërkohë që sharra i ka mbetur në gozhdë me Shqipërinë. Vendi ynë ka marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit dhe ambasadori Ferit Hoxha ja ka bërë të qartë Beogradit se nuk ka shanse të mbahet një mbledhje e tillë.
Ky dështim është pranuar edhe nga vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Shpresat e tij tani janë varur te Rusia e Kina.
“Do të kemi një seancë të rëndësishme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nga data 19 deri më 26 shtator. Atje do të zhvilloj disa takime jashtëzakonisht të rëndësishme me përfaqësues të qeverive dhe zyrtarë të lartë nga e gjithë bota, ku përsëri do të përpiqemi të prezantojmë Serbinë në mënyrë dinjitoze dhe të përgjegjshme. Ju lutem përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-ve si dhe miqve tanë tradicionalë Kinës dhe Rusisë që të shohim realisht situatën në Kosovë se kush prodhon trazira dhe konflikte”, tha ai.
Më herët ishte dhe Ivica Daçiç që e pranoi se pavarësisht lobimeve që ka bërë Beogradi për të mbledhur OKB, nuk ja ka dalë dot.
Lini një Përgjigje