
Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se për herë të parë në historinë e Kosovës po ndodhë që Qeveria e Kosovës të bllokojë të hyrat vetanake të kryeqytetit. Ai tha se shërbime jetike të kryeqytetit që përdoren për ushqim në shkolla, transport publik, shëndetësi, ndihmë sociale janë në prag të ndërprerjes të hënën.
Më tej ai deklaroi se sapo ka përfunduar takimin me përfaqësues të transportit urban dhe të shoqatës së transportuesve të sektorit privat të cilët për fat të keq kanë njoftuar se nga nesër transporti publik në kryeqytet do të ndalet. Sipas tij buxheti është bllokuar për çështje politike.
“Bëhet fjalë për funksione elementare të kryeqytetit tonë, për mirëqenien e fëmijëve tanë, të moshuarve dhe familjeve tona. Për mbi një vit kemi kërkuar alokimin e buxhetit që i takon kryeqytetit. As një kërkesë nuk është trajtuar, buxheti është bllokuar për çështje krejtësisht politikë. 35 milionë euro, prej të cilave 25 milionë euro janë të hyra vetanake dhe 10 milionë të grantit qeveritar janë bllokuar nga Ministria e Financave në kundërshtim me ligjin. Për këtë arsye kam lajmëruar që kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë Hekuran Murati dhe zyrtarëve përgjegjës për shkelje të ligjit. Jemi drejtuar edhe kryeministrit në detyrë dhe presidentes dhe kemi kërkuar shqyrtim urgjent edhe nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë ai, raporton ‘Koha’.
Rama është shprehur se paralajmërime për ndërprerje të shërbimeve kanë marrë edhe nga ndërmarrje tjera.
“Nuk kam besuar kurrë që qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik nga interesa zgjedhore”, deklaroi Rama.
Pas dekalratës së Ramës, ka reaguar edhe Ndërmarrja e Trafikut Urban. Në një postim në Facebook ka shkruar se gjatë ditëve të fundit janë njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja.
“Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025. Shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për pasojat që kjo ndërprerje do t’ju shkaktojë. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes. Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme. Edhe një herë, u kërkojmë ndjesë qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit publik, i cili do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve”, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje