
Pesë armë janë gjetur sot në afërsi të Manastirit të Banjskës të cilat dyshohet se i përkasin ngjarjeve që ndodhën në shtator të vitit 2023, në periudhën kur u vra polici Afrim Bunjaku.
Sipas asaj që raporton ‘Gazeta Express’ nga burimet e saj, thuhet se policia u njoftua për armatimin nga prifti i kishës në Banjskë.
Sipas burimeve “Prifti e ka thirr policinë dhe ka raportuar se në njërën prej objekteve përreth ka parë thes me armë (zolla), që dyshohet se i takojnë periudhës së shtatorit”. Përveç njësiteve të nevojshme policore, në këtë aksion ka qenë e përfshirë edhe AKI.

Rastin e ka konfirmuar për mediat në Kosovë zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Janë gjetur pesë armë, ka mundësi që janë nga sulmi i fundit i 24 shtatorit”, tha shkurt Elshani.
Kujtojmë se më 24 shtator të vitit 2023, në Banjskë të Zveçanit, një grup terrorist nga Serbia i drejtuar nga Millan Radojçiç, sulmuan Policinë e Kosovës, duke lënë të vdekur policin Afrim Bunjaku.
Policia e Kosovës iu kundërpërgjigj këtij sulmi duke vrarë tre pjesëtarë të grupit terrorist. Milan Radojçiç pranoi se ishte ai pas këtij sulmi.
Lini një Përgjigje