TAGS-AT E JAVËS

Kosova28 Dhjetor 2025, 19:02

Mbyllet votimi në Kosovë, pritet nisja e procesit të numërimit dhe projeksonet e para!

Shkruar nga Pamfleti

Mbyllet votimi në Kosovë, pritet nisja e procesit të

Së shpejti do të nisë procesi i numërimit të votave dhe publikimi i projeksioneve të para...

Ka përfunduar procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Të gjitha qëndrat e votimit janë mbyllur në orën 19:00, përveç atyre qendrave ku qytetarët qëndronin ende në rradhë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës para orarit zyrtar të mbylljes.

Së shpejti do të nisë procesi i numërimit të votave dhe publikimi i projeksioneve të para. Disa agjenci kanë kryer Exit-poll-et e tyre dhe do të japin një pasqyrë mbi rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa procesi zyrtar i numërimit vijon.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 17:00, saktësisht 759,877 persona kishin shfrytëzuar të drejtën e votës, sipas procesimit të 97.54 për qind të vendvotimeve. Kjo përkthehet në një pjesëmarrje prej rreth 38.01 për qind të të gjithë votuesve të regjistruar. Pjesëmarrja në këto zgjedhje do të përditësohet më tej me rezultatet e numërimit të plotë.

Për krahasim, në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, në nivel vendi votuan 966,000 qytetarë, përfshirë votat e diasporës, duke shënuar pjesëmarrjen më të lartë historike deri tani.

Procesi i votimit ka shkuar kryesisht në mënyrë të qetë dhe pa incidente të mëdha, me përjashtim të disa rasteve sporadike.

Kujtojmë se në këto zgjedhje morën pjesë gjithsej 24 subjekte politike me 1,180 kandidatë për deputetë. Nga këto, 8 subjekte politike përfaqësojnë shqiptarët dhe synojnë 100 vendet e Kuvendit, ndërsa pjesa tjetër janë subjekte nga komunitetet joshqiptare, që garojnë për 20 ulëset e garantuara në Kuvend.

Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare në Kosovë për vitin 2025, pas atyre të 9 shkurtit, të cilat nuk arritën të krijonin një koalicion qeverisës të qëndrueshëm.

Në zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u rendit e para me mbi 390,000 vota ose 42.30 për qind. E dyta ishte Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190,000 vota apo 20.95 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori mbi 170,000 vota apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt ishte koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate me mbi 66,000 vota apo 7.06 për qind. Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb, siguroi mbi 39,000 vota apo 4.26 për qind.

Me këto rezultate, LVV-ja kishte siguruar 48 ulëse në Kuvend, PDK-ja 24 ulëse, LDK-ja 20 vende, Lista Serbe 9 vende dhe koalicioni AAK-Nisma 8 vende.

Sot, qytetarët dhe partitë politike presin që këto zgjedhje të ndihmojnë Kosovën të dalë nga ngërçi politik që ka karakterizuar vitin 2025, duke dhënë një qeverisje të qëndrueshme dhe duke shmangur më tej dëmin për qytetarët dhe zhvillimin e vendit./Pamfleti

kosovë votimi zgjedhje

Lini një Përgjigje