
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë një përmbledhje të aktivitetit të tij javor prej ndërmjetësuesi në procesin e negociatave në mes të të dyjave vendeve.
Laçak ka njoftuar se në fillim të kësaj jave, ka udhëtuar për në Beograd ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe Drejtorin e Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç.
“Diskutimet tona ishin vazhdimësi e përpjekjeve tona për të ecur drejt zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt Normalizimit. Ngjashëm me diskutimet tona në Kosovë, ne gjithashtu trajtuam edhe çështje të tjera të rëndësishme në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke theksuar nevojën për zgjidhje urgjente në përgatitje për takimin e kryenegociatorëve të kësaj jave”, ka shkruar ai në Facebook.
Emisari evropian ka bërë të ditur se në bisedat në kryeqytetin serb, ka theksuar se zbatimi i Marrëveshjes duhet të përparojë me të dyja palët duke përmbushur detyrimet e tyre përkatëse hap pas hapi në mënyrë paralele dhe bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka.
Lajçak mes tjerash ka folur edhe për takimin që ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Malit të Zi.
“Menjëherë pas zbarkimit në Bruksel, mirëprita ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Filip Ivanoviq. Isha i lumtur kur pashë se Mali i Zi kishte një qeveri të fortë me një agjendë pro-evropiane në një moment vendimtar për marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor. Shpresoj që Mali i Zi do të shfrytëzojë këtë moment unik për të bërë një përparim thelbësor në rrugën e tij drejt BE-së”, tha ai.
Lini një Përgjigje